Beograd, 18 gusht 2024 – Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, ka njoftuar të dielën se Senad Ramoviq, i cili përshkruhet si ndjekës të një rryme radikale të besimit islamit, është vrarë nga policia serbe të shtunën, natën vonë, në fshatin Hotkovo të komunës së Novi Pazarit, të banuar me shumicë myslimane.
Ai ka thënë se Ramoviq ka qenë i lidhur me personin që ishte vrarë në muajin qershor para ambasadës së Izraelit në Beograd, pasi kishte qëlluar me shigjetë dhe e kishte plagosur një pjesëtar të xhandarmerisë serbe.
Sipas Daçiqit, Ramoviq është “neutralizuar” pasi nuk ka pranuar të dorëzohet dhe ka shtënë me armë ndaj pjesëtarëve të Njësisë Speciale Antiterroriste, të cilët kishin shkuar ta arrestonin.
“Pjesëtarët e Njësisë Speciale Antiterroriste e neutralizuan atë”, ka thënë Daçiq.
Policia ka bërë të ditur se Ramoviq ishte shpallur person në kërkim për shkak të lidhjeve me burrin që ishte vrarë nga policia në Beograd, me 29 qershor, pasi kishte qëlluar me shigjetë në qafë një oficer të policisë para ambasadës izraelite. Sulmuesi që kisjhte mbetur i vrarë ishte identifikuar si Milosh Zhujoviq, një serb 25 vjeçar që ishte konvertuar në musliman.
Mediat lokale e përshkruajnë Ramoviqin si ndjekës të një linje të ashpër të besimit islam.
Në muajin prill të vitit 2007, Senad Ramoviq ishte plagosur dhe ishte arrestuar si pjesë e një grupi që ishte përfshirë në një përleshje të armatosur me policinë serbe në fshatin Tërnavë afër Novi Pazarit. Në atë përleshje ishte vrarë një pjesëtar i grupit dhe ishte plagosur një officer i policisë.
14 pjesëtarë të grupit ishin arrestuar, 12 prej të cilëve në vitin 2009 ishin dënuar nga një gjykatë në Beograd me gjithsej 60 vjet heqje lirie, për planifikim të veprimeve terroriste dhe për vrasjen e politikanit boshnjak Muamer Zukorliq, i cili ishte kryetari i Bashkësisë Islame të Serbisë.
Senad Ramoviq ishte dënuar me 13 vjet e gjysmë burgim.