Novi Sad, 20 nëntor 2024 – Të mërkurën, për të dytën ditë ne radhë, në qytetin e Novi Sadit, në Serbi, pati përleshje midis policisë dhe protestuesve antiqeveritarë që kërkojnë që autooritetet të japin përgjegjësi për shembjen e çatisë së pritores së stacionit hekurudhor të qytetit, në fillim të këtij muaji, ku e humbën jetën 15 persona.
Protestuesit provuan të bllokojnë një gjykatë në Novi Sad, kurse policia i largoi protestuesit nga ndërtesa.
Një veprim i ngjashëm të martën çoi në një përplasje disaorëshe mes protestuesve dhe policisë, gjë që shihet si shenjë e tensioneve në rritje për shkak të shembjes së kulmit në stacionin e trenit.
Ngjarja në Novi Sad ka shkaktuar një valë protestash kundër autoriteteve dhe arrestimin e disa aktivistëve që morën pjesë në to.
Shumëkush në Serbi beson se korrupsioni i shfrenuar ka çuar në vonesa të rinovimit të stacionit dhe në cilësinë e punimeve që paten për pasojë shembjen e çatisë që ua mori jetën 15 qytetarëve fatkeq.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, të mërkurën paralajmëroi protestuesit se policia “nuk do të tolerojë prishjen e rendit it publik, kërcënimet ndaj sigurisë së vendit dhe institucioneve shtetërore, si dhe sulmet ndaj policisë”.
Një grup deputetësh të opozitës arritën të hynin në ndërtesën e gjykatës në Novi Sad të mërkurën, ndërsa policia i largoi protestuesit jerë që po qëndronin jashtë ndërtesës.
Protestuesit po kërkojnë edhe limin nga paraburgimi të veprimtarëve të burgosur gjatë protestave të fundit.
Çatia e madhe e pritores së jashtme të stacionit hekurudhor u rrëzua papritur më 1 nëntor. Aty e humbën jetën 14 persona dhe u plagosën rëndë tret ë tjerë, njëri prej të cilëve vdiq më vonë.
Ministri i Ndërtimit i Serbisë, Goran Vesiq, dha dorëheqje pak ditë pas ngjarjes, duke e cilësuar këtë si akt moral. Të mërkurën dorëheqje dha edhe ministri i Tregtisë, Tomislav Momiroviq, i cili kishte qenë ministër i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës nga vitit 2020 deri në vitin 2022.
Dorëheqja e Momiroviqit erdhi dy ditë pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi dorëheqje të tjera lidhur me rastin.
Autoritetet shtetërore në Serbi kanë premtuar një hetim të plotë të rastit, por deri më tash nuk është arrestuar askush lidhur me këtë ngjarje tragjike. Prokuroria tha se dhjetëra persona janë marrë në pyetje si pjesë e hetimit, por deri më sot nuk është ngritur asnjë aktakuzë.
Stacioni hekurudhor në Novi Sad është ndërtuar në vitin 1964. Vitet e fundit ndërtesa është renovuar dy here. Herën e fundit është renovuar nga një kompani shtetërore e ndërtimit nga Kina.
(r.m.)