Ohër, 18 mars 2023 – Në Ohër, pas orës 15, ka filluar takimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ndërmjetësohet nga shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Jajçak.
Para takimit trepalësh, Borrell dhe Lajçak kanë zhvilluar takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një deklaratë për media, nuk ka dashur të thotë asgjë për përmbajtjen e takimit. Ai ka thënë se këtë do ta bëjë Borrell, pas përfundimit të takimit.
“Nuk do të them asgjë për përmbajtjen. U përmbahemi rregullave dhe nuk do të flasim për atë që është diskutuar… Do të ketë deklaratë pas takimit”, ka thënë ai.
Stano ka thënë se Borrell pritet të dalë me deklaratë në orët e mbrëmjes.
“Në fund të këtij takimi (Borrell) do të vijë këtu… Nuk e dimë kohën, nuk e dimë sa do të zgjasë takimi… por, do të ju informojmë…”, u ka thënë Stano gazetarëve të shumtë në Ohër.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është “optimist” për takimin.
“Jam optimist, i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe të popullit për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti sapo ka arritur në Ohër.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka dhënë ndonië deklaratë në Ohër. Të shtunën, ai ka thënë se në Ohër nuk do të nënshkruajë asgjë, por është i detyruar të bisedojë me, siç është shprehur, “autoritet në Prishtinë”.
“Duhet të bisedojmë me autoritetet në Prishtinë, sidomos për shkak se shumëkush dëshiron t’ia thyejë kurrizin Serbisë së lirë, liridashëse e të pavarur”, ka thënë Vuçiq.
“Tani na duhet më shumë se kurrë mençuria, na duhet paqja dhe jo marrëzitë dhe papërgjegjësitë. Ashtu vetëmsa mund ta rrezikojmë të ardhmen e vendit tonë”, është shprehur ai.
Vuçiq ka thënë se në Ohër Serbia do të jetë në pozitë edhe më të vështirë pas urdhërarrestit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
(r.m.)