Në Parlamenti italian krijohet grupi i miqësisë Itali-Shqipëri

Romë, 18 korrik 2023 – Në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian u mbajt të hënën seanca e inaugurimit të seksionit dypalësh të miqësisë Itali-Shqipëri, që funksionon në kuadër të Unionit Ndërparlamentar.

Mbledhja u drejtua nga Arnaldo Lomuti, i emëruar kryetar i Seksionit për këtë Legjislaturë, në emër të Grupit Italian të Unionit Ndërparlamentar.

“Objektivi i seksionit dypalësh Itali-Shqipëri është të zhvillojë aktivitete të “diplomacisë parlamentare”, domethënë të forcojë marrëdhëniet ndërmjet institucioneve përkatëse parlamentare, të promovojë iniciativa të dobishme për një bashkëpunim sa më efektiv dhe të frytshëm midis dy vendeve mike, të lidhura nga raporte ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike intensive,” njofton zyra e shtypit e Lomutit.

Seksioni Itali-Shqipëri përfshin mbi 20 deputetë që përfaqësojnë të gjitha forcat politike italiane dhe, sipas Lomutit, -“është një mjet themelor për ndërtimin dhe forcimin e urave midis dy popujve, nxitjen e miqësisë dhe lehtësimin e bashkëpunimit”.

Sipas tij, Shqipëria është një vend historikisht i lidhur me Italinë, duke iu referuar bashkëjetesës së komunitetit arbëresh të përhapur në të gjithë Italinë, i cili për shekuj ka ruajtur dhe ushqyer kulturën, kujtesën historike, traditat dhe rrënjët gjuhësore të Shqipërisë.

“Prandaj, puna e seksionit dypalësh Itali-Shqipëri do të shkojë në drejtim të zgjerimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe programeve të bashkëpunimit,” citon më tej Lomuti pas marrjes së drejtimit të tij.

(Reporter.al)