Në Parlamentin e ri të Malit të Zi do të jenë 6 deputetë shqiptarë

Podgoricë, 11 qershor 2023 – Si asnjëherë më parë, në parlamentin e ri të Malit të Zi, me 81 vende në total, do të jenë 6 deputetë shqiptarë.

Tre prej tyre përfaqësojnë direkt shqiptarët dhe interesat e tyre, përmes partive shqiptare. Dy deputetë i siguroi koalicioni “Forumi Shqiptar” i Nik Gjeloshajt. Përveç Gjeloshajt, në parlamentin republican do të shkojë edhe Nikollë Camaj.

Një ulëse në Parlamentin e Malit të Zi do të jetë për Genc Nimanbegun nga koalicioni “Aleanca Shqiptare”.

Në parlament rapublikan do të shkojnë edhe 3 shqiptarë të tjerë. Mehmet Zenka dhe Drita Llolla do të jenë deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve të ish kryeministrit Milo Gjukanoviq, dhe Dritan Abazoviq, nga koalicioni URA, koalicion ky që i siguroi 11 deputetë.

Kryesuesi i koalicioni “Forumi Shqiptar”, Nik Gjeloshaj, dhe Genc Nimanbegu thanë se deputetët shqiptarë do ta mbështesin cilëndo qeveri që ka orientim integrimet europiane dhe do të jenë opozitë e fortë e atyre që e projektojnë Malin e Zi pro-rus.

Fitues i zgjedhjeve nw Mal tw Zi doli koalicioni i “Europa tani” i Presidentit Jakov Milatoviq. Ky koalicion që fitoi të drejtën për të krijuar qeverinë do t’i ketë 23 mandate. Për të formuar qeverinë duhet të kërkojë ndihmën e koalicioneve dhe partive tjera, përfshirë edhe ato shqiptare.

(r.m.)