Në Parlamentin Evropian kërkohet sanksionimi i Serbisë për sulmet në Kosovë

Bruksel, 3 tetor 2023 – Disa eurodeputetë kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë gjatë një seance për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE) të martën, ku u diskutua për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh javë më parë në veri të vendit.

Deputeti kroat Tonino Picula, duke folur në emër të grupit Socialist, kërko masa ndaj Serbisë, duke e cilësuar si terrorist sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Ngjarjet e fundit janë evidencë se sa e rrezikshme është situata. Jemi të shqetësuar për sjelljen e Serbisë edhe pas këtyre ngjarjeve“, tha Picula.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të vendosë masa të ngjashme ndaj Serbisë siç bëri kundër Kosovës muaj më parë. BE-ja kishte vlerësuar se Kosova nuk i kishte ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.

Deputetja gjermane Viola von Cramon – e cila është edhe raportuese për Kosovën në PE – tha se sulmi “brutal dëshmon se nuk mund ta marrim lirinë si të garantuar në Evropë.”

Ajo nënvizoi se lidhjet e Radoiçiqit me Beogradin zyrtar “janë mëse evidente”, dhe se Serbia “menjëherë” duhet t’i tërheqë të gjitha trupat nga kufiri me Kosovën.

“BE-ja dhe NATO-ja duhet të dalin me plan të ri për Kosovën. Gjermania duhet ta ndjekë shembullin e Britanisë për të rritur praninë ushtarake në Kosovë“, tha ajo.

Eurodeputeti holandeze Thijs Reuten kërkoi hapa “vendimtarë për ta ndalur Presidentin e Serbisë Vuçiq”.

“Vuçiqin duhet ta ndalim sepse ai nuk ndalet vetë. Nëse një herë e tolerojmë e nuk e ndalim, herën tjetër shkon një shkallë më larg. Krejt çka BE-ja ka bërë është sanksionimi i Kosovës“, theksoi ai duke kërkuar masa ndaj Serbisë.

Në debat pati shumë kritika edhe për politikën e BE-së ndaj Serbisë dhe për neglizhencën ndaj ndikimit të Rusisë në rajon. Disa deputetë bënë thirrje për hetime ndërkombëtare dhe që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vihen para drejtësisë.

Disa eurodeputetë madje kërkuan që Serbisë t’i ngrihen fondet derisa të kryhen hetimet. Ata e kritikuan BE-në për “përdorimin e një politike të butë” ndaj Serbisë, për trajtimin e Vuçiqit si “mik, duke i dhënë fonde dhe duke hezituar ta dënojnë pushtetin e tij”.

Komisioneri për çështje humanitare, Janez Lenarçiq foli në emër të Komisionit Evropian në mungesë të përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, i cili ishte në udhëtim zyrtar.

Ai e kritikoi Serbinë për veprimet pas sulmit të 24 shtatorit, e cila i lartësoi tre sulmuesit serbë që u vranë pasi e sulmuan Policinë e Kosovës dhe shpalli zi për ta.

“Retorika nga Beogradi pas ngjarjeve të 24 shtatorit është shumë shqetësuese. Sikur edhe mbajtja e zisë për sulmuesit e vrarë. Edhe rritja e pranisë ushtarake në jug të Serbisë është shqetësuese“ tha ai.

Kritika edhe ndaj Kosovës

Eurodeputeti sllovak, Vladimir Biliçik, i cili është edhe raportues për Serbinë, e fajësoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për gjendjen në veri.

“Procesi i dialogut nisi të ngecë me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet. Refuzimi i tij për themelimin e Asociacionit krijoi situatën në të cilin ka ngecur dialogu. Nuk mund të ketë zgjidhje pa kompromis“, tha ai.

Eurodeputetët që e kritikuan Kosovën e bënë këtë kryesisht duke thënë se ajo “po tregon mosgatishmëri” për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.

Deputetët e ekstremit të djathtë e fajësuan Kosovën për “nxitjen e serbëve pët t’u detyruar të mbrohen“.

Parlamenti Evropian në seancën e ardhshme gjatë muajit tetor do ta miratojë dhe një rezolutë të veçantë për situatën në Kosovë.

(REL)