Bruksel, 21 prill 2022 – Në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian, të enjten, më 21 prill, është zhvilluar një debat për draftin e raporteve për Kosovën dhe për Serbinë.
Për përmbajtjen e këtij raporti ka folur Viola von Cramon, raportuese për Kosovën. Gjatë debatit kanë folur edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit e shërbimit të Jashtëm të BE-së.
Disa folës kanë shprehur mirënjohje për Kosovën e cila e ka dënuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Vasilis Maragos nga Komisioni Evropian ka paralajmëruar se Komisioni do ta ndihmojë Kosovën për t’u përballur me pasojat ekonomike të agresionit rus ndaj Ukrainës. Në mënyrë të veçantë, Maragos ka folur për nevojën e investimeve në sektorin e energjisë në Kosovë, duke e cilësuar si “alarm për t’u zgjuar nga gjumi” krizën energjetike në Kosovë.
Ai ka kujtuar se Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe ka theksuar se mbështetja e Parlamentit Evropian mbetet kyçe për miratimin e liberalizimit.
Edhe Elsa Fenet nga shërbimi i veprimit të Jashtëm të BE-së i ka vlerësuar qëndrimet e Kosovës lidhur me agresionin rus në Ukrainë. Ajo ka thënë se Kosova formalisht nuk është e obliguar të mbështesë qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, por gjithsesi një përshtatje e tillë është e mirëseardhur. Por, ajo ka theksuar se Kosova duhet të tregojë më shumë fleksibilitet në procesin e bashkëpunimit rajonal.
Duke folur për dialogun mes Kosovës e Serbisë, ajo ka thënë se situata gjeopolitike e bën më të nevojshëm normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Deputeti kroat Tonino Picula ka kërkuar që BE-ja të dëshmojë përkushtimin ndaj Kosovës.
“Roli ynë në Kosovë është kyç, por ne, kur kërkojmë përmbushje të kushteve, duhet të dëshmojmë përkushtimin tonë. Është e papranueshme që BE-ja akoma nuk i ka liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.
Raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Von Cramon, në fund të debatit, ka bërë thirrje që, në kohën kur BE ka në fokus agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, të mos harrohet se procesi i pajtimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk ka dhënë rezultate akoma.
Në debatin për raportin për Serbinë është shprehur keqardhje për qëndrimin e saj ndaj agresionit rus ndaj Ukrainës, gjë që është parë si largim i Serbisë nga aspiratat e saj evropiane. Disa deputetë kanë thënë se Serbia mund të përballet me pasoja të rënda, nëse nuk dëshmon se dëshiron t’i përqafojë vlerat evropiane.
Shumë deputetë kanë theksuar se “ka kaluar koha kur kanë mundur të bëhen balancime të qëndrimeve” dhe se Serbia, sikurse secili shtet tjetër evropian, tani “duhet të vendosë se në cilën anë dëshiron të jetë”.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Biliçik, ka kërkuar që Serbia t’i mbështesë qëndrimet e BE-së lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës.
“Shtetet sovrane miratojnë qëndrime sovrane, por edhe mbajnë përgjegjësi për qëndrimet e tilla” ka thënë Biliçik, duke shprehur pritjet e tij se Serbia do t’i mbështesë qëndrimet e BE-së.
Michael Muler nga Komisioni Evropian ka thënë se qëndrimet e Serbisë ndaj agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës do të merren në konsideratë kur të vendoset për hapat në procesin e zgjerimit të BE-së.
Elsa Fenet nga shërbimi i veprimit të Jashtëm të BE-së ka thënë se Serbia, ndonëse i ka mbështetur disa qëndrime të BE-së, siç janë votimet në OKB, nuk e ka mbështetur ende asnjë prej sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Ajo ka thënë se Serbia i ka vazhduar kontaktet politike me Rusinë dhe me “persona kundërthënës”. Fenet ka tërhequr vërejtjen se në Serbi vazhdon të jetë ende e pranishme “fushata dezinformuese ruse”.
Viola Von Cramon e ka përshëndetur përmbajtjen e raportit për Serbinë, por e ka kritikuar qëndrimin e grupit të Partive Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian lidhur me Serbinë. Ajo e ka cilësuar qëndrimin e këtij grupi si “zonë të sigurt të interesave të partisë së Presidentit Vuçiq”.
Deputeti nga Kroacia, Tonino Piculla, ka thënë se Serbia nuk po e zbaton në praktikë obligimin për bashkëpunim rajonal dhe fqinjësi të mirë. Ai ka thënë se BE-ja nuk mund të tolerojë më kalkulime me standardet dhe vlerat evropiane.
Gjatë debatit, disa anëtarë të Komisionit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian kanë kërkuar që Serbia t’i hapë edhe arkivat e ish-shërbimit sekret komunist jugosllav, UDB.
Raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor do të votohen në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian në muajin qershor, ndërsa në Parlamentin Evropian do të votohen në muajin korrik.
(Sipas REL)