Nga Mjafturie Daci
NEW YORK
Aktivistja e komunitetit shqiptar në New York dhe ish e persekutuara politike Znj. Flora Selfo, së bashku me familjen e saj mbajtën një pritje përkujtimore për jetën e motrës së saj Shpresa Selfo Koka. Të pranishëm ishin Flora Selfo ish e dëbuar politike në Shqipëri, i biri Akil Bushati ish i dëbuar politik në Shqipëri me të shoqen Dolora Bushati PhD, e cila ka lindur e është rritur në internim dhe e ëma e Dolores, Suzana Matja ish e internuar politike nga rregjimi komunist në Shqipëri. Këtë përkujtim familjar ata e ndanë sëbashku me Konsullen e Shqipërisë Valentina Loku dhe përfaqësueset e organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe” si një organizatë gruaje që përkrah e ngre lart edhe për rolin e femrës shqiptare që u persekutua nga diktatura komuniste në Shqipëri. I pranishëm ishte edhe bashkëshorti i Znj. Kimete Haxhaj, Z. Zenel Haxhaj. Ishin ftuar edhe njerëz të tjerë, por shkak i motit të keq, nuk mundën të vinin.
Shpresa Selfo Koka u lind në Gjirokastër, nga një familje e njohur patriotësh dhe intelektualësh shqiptarë që me dashamirësinë e tyre për kombin investuan në Shqipëri në shumë vepra si shkolla ura, godina banimi dhe si “mirënjohje” nga diktatroi Hoxha morën pushkatime, burgosje, internime, konfiskime pasurie e vuajtje pa fund. E ndjera Shpresa Selfo Koka ishte një femër patriote dhe antikomunste e njohur, e cila u rrit dhe krijoi familjen e saj në Fier, aty ku dhe i dëbuan nga Tirana për çështje biografie si familje sigurimi i shtetit, Dhe vetëm pas ardhjes së demokraisë në pushtet u bë e mundur që ajo me familjen e motrat Flora dhe Xhilda të mernin pronat e tyre, ku një prej tyre ishte edhe Vila në Tiranë, ku përgjatë viteve në komunizëm jetoi dhe e gëzoi udhëheqësja e lartë e Partisë Komuniste Eleni Pashko me djemtë Ing. Fatos Pashko, bashkëshorti i aktores Rajmonda Bulku dhe pedagogu i ekonomisë Gramoz Pashko. Për ironi të fatit në ambjentet e kësaj Vile në rrugën e “Elbasanit” Gramoz Pashko organizonte mbledhjet e partisë demokratike.
Fisi i madh i Selfove e sidomos familja e Xhevdet Selfos, gjyshit të Florës, veç meritave patriotike është nga të parat që ka kontribuar edhe për ngritjen e zhvillimin e disa qendrave urbanistike të qyteteve të Jugut të Shqipërisë, duke filluar nga viti 1921. Xhevdet Selfo me djemtë e tij fillimisht u morën me investime në ndërtimin urbanistik, duke filluar nga Saranda, Gjirokastra e më pas edhe në Shqipërinë e mesme deri në Tiranë. Qeveria e Lushnjës është e para qeveri shqiptare që mori disa ndihma nga fuqitë europiane për stabilizimin e popullatës çame, e cila pas masakrave nga qeveria greke u detyrua të vinte në trevat e jugut. Firma ndërtuese e Xhevdet Selfos, e organizuar me inxhinjerë e punëtorë dhe me bazë materiale, mori përsipër e ndërtoi në qytetin e Sarandës mbi 40 – 50 ndërtesa njëkatëshe, ku u sistemuan një pjesë e popullsisë çame.
Më vonë filloi të ndërtojë vila dy tre katëshe dhe disa të tilla ekzistojnë edhe sot. Xhevdet Selfo dhe 7 djemtë e tij investuan dhe në drejtime të tjera, si në tregëtinë e materialeve hidraulike, atë të stofrave etj., duke hapur dyqane të shumtë në Gjirokastër, Durrës, Tiranë dhe u lidhën edhe me firma të huaja. Pra në vitet ’30 ata investuan në disa drejtime duke punësuar qindra njerëz. Një drejtim ishte edhe ai i hapjes dhe zhvillimit të rrugëve, duke u lidhur edhe me firma të huaja italiane, ku në veçanti me këto punime u mor Fejzi Selfo. Gjimnazi i Gjirokastrës i ndërtuar me një stil modern është vepër e Selfatëve dhe ekziston edhe sot. Selfatëve ua morën e sekuestruan dyqanet me mallra të shumtë, shtëpitë e tyre, vila, ku u futën e strehoheshin njerëzit me pozitë, si Pashkot në Tiranë etj.
Prindërit e Florës, Shpresës dhe Xhildës ishin Fejzi dhe Nevrez Selfo. Nevrezi ishte shtëpiake, kujdesej për rritjen dhe edukimin e tre vajzve. I ati kishte studjuar jashtë, por kthehet e punon në atdhe, u mor me tregëti dhe ndërtimin e veprave industriale në Shqipëri, njihet si një personalitet human dhe bamirës për njerëzit e varfër. Shpresa Selfo Koka la pas djalin Artin dhe vajzën Rebekën, motrat Flora, Xhilda e plot nipër e mbesa, të cilët kudo ku jetojnë e punojnë janë shembull frymëzimi për brezat e rinj.
Duke mos shkëputur vemendjen, vlen për tu theksuar se disa nga anëtaret e kësaj organizate për angazhimin e tyre në mbrojtje të të drejtave të grave dhe fëmijëve janë vlerësuar nga personalitete të lartë të poltikës amerikane në Amerikë, mes tyre edhe zonjat Flora Selfo, Suzana Matja, Rita Saliu, Dolora Bushati, Mjafturie Daci, Kimete Haxhaj, Sonila Daci e të tjera. Rasti i fundit ishte kur Senatorja demokrate Nathalia Fernandez, me kërkesë të kësaj organizate i ndau këtyre zonjave “Çertifikatën e Arritjeve”. Sigurisht këto vlerësime kanë ardhur falë kontributit dhe përpjekjeve disa vjeçare të kësaj organizate për paqen dhe të drejtat humane në New York e më gjerë.
Biseda në këtë takim kaloi e ngrohtë dhe miqësore, u fol për vuajtjet e së shkuarës së hidhur në vitet e rrregjimit komunist në Shqipëri, angazhimet e këtyre zonjave në protestat demokratike për rrëzimn e bustit të diktatorit Hoxha, si dhe për kontributin e tyre vullnetar për të drejtat e grave dhe fëmijëve në SHBA. U fol gjithashtu për gratë e vajzat trimëresha në Kosovë që u përballën me masakrat e përdhunimet e serbe gjatë luftës në Kosovë, që për ato e për ne të gjithë janë plagë të pambyllura akoma. Pa anashkaluar nuk mbeti edhe situata në Mitrovicën e veriut, ku provokimet serbe nuk kanë të ndalur, të cilët të furnizuar me armatime të rënda nga Rusia presin rastin për të sulmuar Kosovën e për të shpallur përsëri trazira lufte për krejt Ballkanin. Me interes nga ato ishte edhe pranimi i Shqipërisë për herë të dytë në Këshillin për të Drejat e Njeirut në OKB, sukses i rëndësishëm ky edhe për ne shqiptarët dhe shoqërinë civile shqiptare. Pritja u mbajt më datë 14 tetor 2023, në restorantin “Mon Cheri” në Queens me pronarë bashkëshortët Valeriana dhe Paulin Pergjoni, ku u servirën pije të freskëta, kafe dhe ëmbëlsira tradicionale shqiptare.