Fjalim mbajtur në pelegrinazhin e përvitshëm pranë varrit të Abaz Kupit në New York
Leonora Laçi
Të nderuar familjar, miq e dashamirës,
Të nderuar pjesëtar të Levizjes së Legalitetit e organizatave të tjera shqiptare,
Ndjehem e nderuar nga ftesa juaj në përkujtimin e figurës së Gjeneral Abaz Kupit si pararojësi i parë që i bëri ballë pushtuesve italianë në Durrës me 7 prill 1939. Historia e ka bërë pjesë të pandashme të saj veprimtarinë e tij dhe të shumë nacionalistëve të tjerë që nuk u kursyen për hirë të atdheut. Duan apo nuk duan historianët shqiptarë atyre i duhet dhënë haku. Unë ndjej krenari që në gjirin tonë familjarë kemi pasur një figurë intelektuale që i përket mërgatës së vjetër si kolonel Xhemal Laçi.
Është e pashmangshme të mos emocionohem teksa ndodhem në vendin ku ata gjetën lirinë. Ky vend i dha lirinë e munguar, edhe pse ishte liri e cunguar sepse shumë nga ata shqiptarët e vjetër fituan lirinë personale por familjet e tyre provonin torturat e regjimit komunist në Shqipëri.
Para disa kohësh në një intervistë gazetari i Botës Sot z.Beqir Sina në një nga pyetjet që më bëri ishte se pse zgjodha pikërisht diasporën politike shqiptare në studimet dhe shkrimet e mija?!
Përgjigjen që i dhash dua ta ripërserisë sepse:-“Ka shumë arsye se pse unë kam zgjedhur pikërisht diasporën. Dita ditës më mundon fakti se si diaspora është shkrirë për atdheun, intelektualëve më të zotë të pas Luftës së Dytë Botërore i pushojnë eshtrat jo të qetë nëpër dhena të huaja. Personalitete të ndryshme të diasporës patën kundër, një sistem të tërë dhe mekanizmat e tij, e nga ana tjetër patën kundër përplasjet e jetës nëpër botë e nganjëherë dhe bashkatdhetarët e vet, por sërisht nuk u demoralizuan, shkruan, botuan revista, libra, krijuan organizata, ngritën zërin në diplomacitë e huaja për gjendjen e Shqipërisë.
Kam plotë personalitete frymëzues për mua. Këto ditë pata në dorë numra të ndryshëm të Revistës Jeta Katholike e botuar në Nju York që filloi publikimin që në fund të viteve ’60, ku përmes artikujve të Mons. dr. Zef Oroshit arrita të kuptoj se sa e vështirë ishte për te të ngrinte Kishën e Parë Katolike Shqiptare. Në sediljen e mbrapme të makinës udhëtonte me të dhe makina e tij e shkrimit sepse nuk kishte zyrë për të shkruar artikujt, studiot e zyrat e para të përpunimit të revistës iu bënë bodrumet e dashamirësve.
Mons. dr. Zef Oroshi shkroi në disa numra rreshtë të revistës listen e emrave që kontribonin për ngritjen e kishës shqiptare, ku kishte dhe vëllezër myslimanë që nuk u kursyen, ai shënoi çdo qindark që jepej, madje e vlerësoi së tepërmi kontributin e vëllezërve myslimanë, të cilët kishin filluar nga ana tjetër të bënin përpjekjet për ngritjen e Xhamisë së Parë në Nju York (e ngritur nga Imam Salih Myftija), dhe ai shpreh mërzi për faktin se shqiptarët katolik nuk po ishin në gjendje t’i mbështesnin ata për ngritjen e xhamisë. Dhe kur sheh figura të tilla si Mons. dr. Zef Oroshi apo Imam Salih Myftia që ndonëse familjarët e tyre dergjeshin burgjeve dhe internimeve këta kontribuonin për të mbajtur gjallë frymën kombëtare.
A nuk e meriton Mons. dr. Zef Oroshi një monument në oborrin e Kishës Zoja e Shkodrës në Nju York si vlerësim për kontributin e tij ?! A nuk e meritojnë nderimin këto figura të diasporës si; Mons. dr. Zef Oroshi, Dom Anton Kçira, Imam Salih Myftija, Fuad Myftija, Fran Sokoli, kolonel Xhemal Laçi, familja Mulosmanaj, Nderim Kupi, Baba Rexhepi, prof. Arshi Pipa, Imam Vehbi Ismaili, Imam Isa Hoxha, Ndrec Gjergji, Zef Berisha, Ramiz Dani, etj, ?!
Ju sot po nderoni veten tuaj duke nderuar figuren e Gjeneral Abaz Kupit, po i mësoni fëmijëve tuaj historinë e Shqipërisë dhe se ç’është kujtesa historike e rendësia e saj.
Faleminderit !
Lavdi figures se tij.