Prishtinë, 29 gusht 2024 – Posta e Kosovës e ka hapur të enjten degën e saj të parë në Mitrovicë të Veriut.
Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ai i Administrimit të Pushteit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë marrë pjesë në hapjen e kësaj dege, në orët e hershme të mëngjesit.
Disa aktivistë dhe përfaqësues të partisë politike, Demokracia Serbe, kanë protestuar kundër hapjes së kësaj dege.
Ministrja Rizvanolli ka thënë se Posta e Kosovës synon të ofrojë shërbime postare për të gjithë, në të gjitha anët e Kosovës, dhe se pika e hapur është e nënta që hapet në veri të vendit.
“Është shumë e rëndësishme që kjo zyrë është hapur sot këtu dhe qytetarët e Mitrovicës së Veriut tani kanë mundësinë të vizitojnë këtë degë dhe t’i kryejnë të gjitha shërbimet që ofron kjo degë. Ka shërbime postare dhe të Telekomit”, ka thënë ministri Krasniqi para mediave.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë përmes një deklarate se hapja e degës së Postës së Kosovës është një tjetër hap i njëanshëm, dhe siç ka thënë ajo, i paligjshëm i autoriteteve të Prishtinës, dhe që përbën shkelje të marrëveshjeve të arritura mes dy palëve në Bruksel.
Sipas kësaj Zyre, veprime të tilla tregojnë se Kosova nuk është e interesuar në dialogun e Brukselit dhe as në zbatimin e asaj që është arritur.
Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh, qysh prej vitit 2013.
Nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, palët kanë arritur një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.
Hapja e degës së Postës së Kosovës në veri vjen pas mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, pas informacionit të siguruar nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) se ato degë kanë vepruar jashtëligjshëm në territorin e Kosovës.
Mbyllja e këtyre degëve të Postës së Serbisë është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe është vlerësuar si hap i njëanshëm prej autoriteteve të Kosovës.
Në degët e kësaj Poste, qytetarët kanë marrë ndihmat që ndan shteti i Serbisë për ta – pensionet dhe shtesat për fëmijë – si dhe kanë mundur të kryejnë shërbime tjera postare.
Posta e Kosovës ka vepruar si njësi biznesi në kuadër të Telekomit të Kosovës deri më 2021, kur me vendim të Qeverisë së Kosovës është themeluar si ndërmarrje publike qendrore.
(Radio Evropa e Lirë)