Tiranë, 28 gusht 2023 – Dhënia me qira e truallit nga ana e pushtetit vendor është një praktikë që ndodh vazhdimisht sipas kërkesave të bizneseve të interesuara.
Vitet e fundit interesi për turizmin dhe energjinë diellore duket se i ka bërë më aktive bashkitë në qiradhënien e truallit me synim aplikimin e projekteve të lidhura me këtë fushë.
E fundit duket se është Bashkia Poliçan e cila ka njoftuar lidhur me një impiant fotovoltaik që do të zbatohet nga bashkimi i gjashtë operatorëve në një të vetëm të cilat kanë kërkuar një sipërfaqe trualli me qira në malin e Tërpanit.
Në një njoftim të publikuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, Bashkia Poliçan ka njoftuar se “Bashkimi i shoqërive “Me Solar Energy” Shpk, “2P Green Energy” Shpk, “Albania Impact Solar” Shpk, “Energy Of The Future” Shpk, “Polican Green Energy” Shpk, “Enviroment Solar Energy” Shpk” janë fitues të procedurës me një ofertë prej rreth 11.3 milionë lekësh.
Më herët Bashkia njoftoi në një procedurë të hapur “dhënien në përdorim të sipërfaqes se fondit pyjor/kullosor ne ngastrat 22 dhe 23 ekonomia pyjore mali Terpan me sip 63.975 ha, pasuria nr.957, zk 3584, e llojit kullot me sipërfaqe 417082m 2 dhe pasurisë nr.1888, zk 3572, e llojit kullot me sip 222668m2, Bashkia Poliçan, për vendosje stacionesh, bazamente për panele fotovoltaike me qëllim prodhimin e energjisë me afat deri ne 10 vjet”.
Por ky nuk është projekti i vetëm fotovolatik. Një tjetër procedurë e ngjashme u hap nga Bashkiua Polican për dhënie në përdorim të sipërfaqes se fondit pyjor/kullosor ne ngastrat 12 dhe 24 ekonomia pyjore mali Terpan me sip 60 ha, pasuria nr.1890/1, zk 3572, e llojit kullot me sipërfaqe 6 400m 2, pasuria nr.974/3, zk 3584, e llojit kullot me sip 240 090m2, pasuria nr.1378/1, zk 3619, e llojit kullot me sipërfaqe 353510 m.
Për këtë ka dhënë ofertë një tjetër kompania, konkretisht X ONE “SHPK për një shumë 10.5 milionë lekë.
Edhe në këtë rast dhënia me qira ka si orientim vendosje stacionesh, bazamente për panele fotovoltaike me qëllim prodhimin e energjisë.
Energjia fotovoltaike ka marrë vëmendje të madhe tre vitet e fundit e nxitur kjo nga kriza globale teksa një ligj i ri për burimet e rinovueshme synon që ta mbajë këtë interes në nivel të qëndrueshëm në kushtet kur tregu në tërësi nga operatorët cilësohet se ka arritur pikën e maturimit.