Në prill, Qeveria ndan nga 100 euro shtesë për pensionistët, punëtorët dhe studentët

Prishtinë, 12 qershor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të martën se familjeve në asistencë sociale, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat, punëtorëvde të sektorit publik dhe studentëve do t’u ndahen nga 100 euro shtesë për muajin prill.

“Për muajin prill do të dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfshihen në asistencë sociale. Pensionistëve do t’ua ndajmë edhe nga 100 euro shtesë për muajin prill, për të gjitha shtresat. 100 euro do t’i ndajmë për punëtorët e sektorit privat, do të ndajmë shumën prej 100 eurove edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publikë. Po ashtu, të gjithë studentët do të përfitojnë nga 100 euro. Për shtresat e cenueshme do të shpërndajmë mbi 80 mijë euro”, tha Kurti në konferencën e mbajtur së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Ai tha se nga kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë, ndërsa vlera e totale e kësaj përkrahjeje është mbi 100 milionë euro.

Kryeministri Kurti njoftoi gjithashtu se qeveria do të miratojë të mërkurën projektligjin për pagën minimale dhe për heqjen e tatimit për pagën deri në 250 euro.

“Përveç kësaj, nesër në mbledhjen e Qeverisë do të miratojmë Projektligjin që i hap rrugën rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto dhe heqjen e tatimit për 250 euro pagë. Pra, edhe do ta rrisim pagën minimale edhe do ta lirojmë nga tatimi”, tha ai.

Kurti tha se prej korrikut të vitit 2021, në kuadër të Pakos së Rimëkëmjes Ekonomonime, Qeveria ka ndarë mbi 300 milionë euro, ndërsa përfitues kanë qenë mbi 740 mijë persona.

“Si Qeveri e Kosovës, nga korriku i vitit 2021, kemi prezantuar vazhdimisht masa në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, e cila në qendër kishte qytetarin dhe ekonominë e vendit. Patëm filluar për ndarjen e shtesave për lehonat dhe për fëmijë. Deri më tani kemi 13,285 lehona dhe 146 mijë e 279 fëmijë që përfitojnë nga këto shtesa. Mbështetëm me 1,500 euro familjet që kanë humbur familjarin e tyre nga virusi COVID-19, ndërsa në rastet kur familjari ka qenë personel shëndetësor, mbështetja ishte 10 mijë euro. Nga kjo masë përfituan 2,901 familje”, tha ai.

Kurti bëri edhe një rezyme të rritjes së pensioneve bazë dhe atyre tëpesonave me aftësi të kufizuara.

“Pensionin bazik e rritëm me 11 për qind, kurse për ata persona me aftësi të kufizuara me 33 për qind. Madje në muajin nëntor 2021 ndamë edhe nga një shtesë me nga 100 euro. Nga kjo mbështetje përfituan rreth 300 mijë pensionmarrës. Asistencën sociale e kemi rritur për 30 për qind, e në muajin nëntor dhe dhjetor të vitit 2021 e kemi dyfishuar vlerën e saj. Gjithashtu për shtresën e cenueshme të shoqërisë ndamë 10,500 kuponë ushqimorë me mbi 200 mijë shujta, përmes 13 kuzhinave popullore”, tha Kurti.

(r.m.)