Prishtinë, 18 gusht 2023 – Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MNT) të Kosovës dhe një biznesmen janë arrestuar nën dyshime për dallavere me fondet për blerjen e mallrrave të rezervave shtetërore.
Të arrestuarit janë: Hafiz Gara, drejtor i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave në MINT, Irfan Lipovica, drejtor i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave në MINT, dhe Ridvan Muharremi, afarist që kishte knntratë për furnizim me mallra të rezervave shtetërore.
Arrestimi i tyre është bërë gjatë një operacioni policor që përfshinte edhe bastisjet në disa zyra të MINT, përfshirë zyrën e ministres Rozeta Hajdari, si edhe zyrën dhe shtëpinë e afaristit Muharremi.
Aksioni është ndërmarrë pas publikimit të disa audio-incizimeve, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it duke thënë se vaji i ushqimit i paguar në Poloni nuk ka arritur në depotë e rezervës shtetërore të Kosovës.
Sipas audio incizimeve, njëjtë ka ndodhur edhe me një pjesë të grurit të paguar për rezervën shtetërore të Kosovës.
Avokati Mahmut Halimi ka bërë një deklaratë për medie lidhur me çështjen e Ridvan Muharremit.
“Normal, (Muharremi) i ka dorëzuar të gjitha materialet që i kemi përgatitur me kohë. Jemi të përgatitur për të vërtetën”, ka thënë ai.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore kundër gazetës “Nacionale” dhe drejtuesit të saj, Berat Buzhala, për publikimin e audio-incizimeve inkriminuese si edhe ndaj zyrtarit të kësaj ministrie, Enver Hajrullahu, i cili ishte i përfshirë në audio-incizime.
(r.m.)