Në Prishtinë, protestë kundër reduktimeve të energjisë

Prishtinë, 27 dhjetor 2021 – “Duam rrymë e jo arsyetime”, “Asnjë cent më shumë”, “Lëshoje rrymën, largoje KEDS-in”, ishin disa prej sloganeve të një grupi qytetarësh që protestuan më 27 dhjetor në Prishtinë, duke kërkuar që të mos ketë reduktime të energjisë elektrike.

Disa protestues u mblodhën pranë ndërtesës së Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe më pas protestuan edhe para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Për shkak të krizës, prej 22 dhjetorit në Kosovë, konsumatorët po përballen me reduktime të energjisë elektrike prej 2 orësh. Megjithatë, disa qytetarë kanë raportuar se po kanë reduktime më shumë se 2 orë.

Po ashtu, protestuesit bën thirrje edhe për shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Protestuesit kundërshtuan edhe shitjen e KEDS-it më 2012, që ishte shitur për 26.3 milionë euro. Sipas protestuesve, shpenzimet e blerjes së këtij distribucioni, kjo kompani i ka fituar për një vit e gjysmë.

“Për tetë vjet, i kanë deklaruar 140 milionë euro fitime”, tha Dibran Hoxha, njëri nga organizatorët e protestës.

Protestuesit kërkuan që Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, të rregullojë problemin me energji elektrike dhe të bëhet me protestuesit, e jo siç thanë “me korporatat”.

Protestuesit thanë se reduktimet në fshatra po zgjasin edhe nga 12 orë e ndonjëherë edhe 24 orë.

Ata kërkuan që autoritetet të shkëpusin kontratën me kompaninë që ka privatizuar KEDS-in, “Çalik-Limak” dhe t’i kthehet autoriteteve shtetërore.

Lidhur me zgjatjen e reduktimeve më shumë se 2 orë, Ministria e Ekonomisë ka thënë se po përgatit një dosje për ta dërguar në polici. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 27 dhjetor u arsyetua se nëse nuk do të reduktohej rryma do të duhej të shtrenjtohej e njëjta. Megjithatë, ai tha se situata me energji ka nisur të stabilizohet.

Për shkak të krizës me energjinë elektrike, Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

Qeveria mund të fillojë me zbatimin e masave menjëherë, por se vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.

Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast Qeveria është e obliguar t’i ndërpresë ato.

(REL)