Prishtinë, 22 shtator 2024 – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar sot se në Prishtinë është shkatërruar edhe një laborator tjetër që përdorej për prodhimin e kokainës.
Sipas Sveçlës, ky është laboratori i 19-të i shkatërruar në tri vitet e fundit.
“Laboratori i sotëm është i 19-ti i shkatërruar në tri vitet e fundit, 40 grupe kriminale që janë marrur me këtë veprimtari janë shkatërruar e janë sekuestruar mbi 2.500 kilogramë sasi të llojeve të ndryshme të drogave”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
“Këtij fenomeni i kemi shpallur luftë që nga marrja e mandatit dhe kemi qenë të pakompromis në këtë drejtim”, ka thënë ai, duke theksuar përkushtimin e institucioneve të sigurisë për parandalimin e fenomenit të prodhimit, kontrabandimit dhe tregtimin me lëndë narkotike në Kosovë. Ai ka theksuar se të gjithë autorët e veprimtarive kriminale do të arrestohen e do të nxirren para drejtësisë.
“Kjo betejë do të vazhdojë dhe askush nuk do të jetë i paprekshëm e i fuqishëm para ligjit. Ky fenomen që rrezikon jetën e fëmijëve e rinisë sonë dhe që shkatërron harmoninë në familjet e vendit tonë, do të goditet në vazhdimësi dhe pa mëshirë nga ana jonë. Të gjithë kriminelëve, të të gjitha ngjyrave, i’u them që nuk ka hapësirë për veprimtarinë e tyre kriminale në Kosovë. Prapa hekurave është vendi për ta”, ka thënë ministry Sveçla.
Por, ai nuk ka njoftuar nëse gjatë operacionit të fundit të policisë ka persona të arrestuar ose të vënë në kërkim lidhur me laboratorin e drogës.
(r.m.)