Në pritje të zhbllokimit të vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak

Prishtinë, 1 tetor 2021 – Të premten, në dy vendkalimet kufitare mes Kosovës e Serbisë, në Jarinjë dhe në Bërnjak, situata mbetet e pandryshuar.

Qytetarët serbë vazhdojnë të qëndrojnë në barrikatat e vendosur në rrugë pranë vendkalimeve kufitare më 20 shtator, pas vendosjes së reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.

Pranë vendkalimeve kufitare vazhdojnë të qëndrojnë edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës, të cilat janë vendosur menjëherë pas vendosjes së reciprocitetit, për të parandaluar çfarëdo akti që do të rrezikonte vendkalimet kufitare, si edhe integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit.

Por, për dallim nga ditët e kaluara, të premten, në rrugët pranë vendkalimeve kufitare kanë lëvizur më shumë patrulla të KFOR-it.

Të shtunën pritet të përfundojë bllokada e venbdkalimeve kufitare, pasi Kosova dhe Serbia e kanë arritur një marrëveshje për shtendosjen e situatës në veri të Kosovës.

Sipas marrëveshjes, njësitë speciale të policisë së Kosovës që gjenden në dy vendkalimet kufitare do të tërhiqen prej andej, njëkohësisht me heqjen e barrikadave të vendosura nga grupe qytetarësh serbë. Tërhqja e të dy palëve do të nisë të shtunën në orën 08:00 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri në orën 16:00.

Misioni i NATO-s në Kosovë do të zëvensësojë njësitë speciale të Policisë së Kosovës në vendkalimet kufitare dhe në zonën përreth.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pjesëtarët e KFOR-it do të vendosen atje për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa për vendkalimet kufitare do të përkujdeset policia kufitare e Kosovës.

“Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se për Serbinë është e rëndësishme që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga pjesa veriore e Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

Kurti dhe Vuçiqi e kanë cilësuar si fitore të tyre, secili, marrëveshjen e arritur të enjten në Bruksel.

Kurti ka thënë se pas kësaj marrëveshjeje Serbia “do të nisë të mësohet me reciprocitetin”.

Ndërkaq, Vuçiqi e ka quajtur marrëveshjen si një zgjidhje kompromisi, me të cilën ka thënë se është shumë i kënaqur.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë mirëpritur arritjene marrëveshjes.

(r.m.)