Moskë, 19 qershor 2023 – Udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse, Alexei Navalny doli sot përpara një gjykate për t’u përballur me akuza të reja për ekstremizëm që mund ta mbajë atë të burgosur për dekada të tëra.
Gjyqi u zhvillua brenda një burgu të sigurisë maksimale në Melekhovo, 250 kilometra në lindje të Moskës, ku 47 vjeçari Navalny po vuan një dënim nëntëvjeçar për mashtrim dhe përbuzje të gjykatës, akuza që ai thotë se janë të motivuara politikisht.
Zoti Navalny, i cili denoncoi korrupsionin e zyrtarve rus dhe organizoi protesta të mëdha kundër Kremlinit, u arrestua në janar të vitit 2021. Ai u arrestua pasi u kthye nga Gjermania ku ndodhej për t’u kuruar si pasojëe një helmimi, incident për të cilin ai ka fajësuar Kremlinin.
Zoti Navalny, i veshur me uniformën e të burgosurve, dukej i dobësuar gjatë seancës, por foli prerazi për mungesën e provave kundër tij.
Alexei Navalny ka thënë se akuzat e reja për ekstremizëm, të cilat ai i hodhi poshtë si “absurde”, mund ta mbajnë atë në burg edhe për 30 vjet të tjera. Ai tha se një hetues i kishte thënë se do të përballej gjithashtu me një gjyq të veçantë ushtarak mbi akuzat për terrorizëm që mund të mbartnin një dënim të përjetshëm.
Gjyqi i së hënës vjen ndërsa Moska ka forcuar goditjet kundër pakënaqësive publike të lidhura me luftën në Ukrainë, të cilën zoti Navalny e ka kritikuar ashpër.
Gjykata e qytetit të Moskës, nuk i lejoi gazetarët në sallën e gjyqit dhe ata ndoqën procedurat përmes pamjeve filmike nga një ndërtesë e veçantë. Prindërve të zotit Navalny gjithashtu iu mohua kërkesa të jenë brenda ku mbahej procesi dhe e ndoqën atë nga distanca.
Zoti Navalny dhe avokatët e tij i kërkuan gjykatësit të mbajë procesin të hapur, me arsyetimin se autoritetet janë të etur për të shtypur detajet e procedurave për të mbuluar dobësinë e çështjes.
“Hetuesit, prokurorët dhe autoritetet në përgjithësi nuk duan që publiku të njoftohet për gjyqin”, tha zoti Navalny.
Prokurorja Nadezhda Tikhonova i kërkoi gjyqtarit që ta zhvillojë gjyqin me dyer të mbyllura, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.
Lidhja nga seanca në sallën e mediave u ndërpre më pas, por nuk ishte menjëherë e qartë nëse ishte për shkak se gjyqtari vendosi të mbyllte gjyqin apo nëse ishte për një arsye tjetër.
Akuzat e reja lidhen me aktivitetet e fondacionit kundër korrupsionit të zotit Navalny dhe deklaratat e bashkëpunëtorëve të tij të lartë. Aleatët e tij thanë se akuzat penalizojnë në mënyrë retroaktive të gjitha aktivitetet e fondacionit të udhëheqësit opozitar Navalny që nga krijimi i tij në vitin 2011.
Një nga bashkëpunëtorët e zotit Navalny, Daniel Kholodny, u zhvendos nga një burg tjetër për t’u përballur me gjyqin përkrah tij.
Zoti Navalny ka kaluar muaj në një qeli të vogël për një person, të quajtur “qeli ndëshkimi”, për shkelje të dyshuara disiplinore, si dështimi për të veshur si duhut rrobat e burgut, për t’u prezantuar siç duhet te një roje ose për të larë fytyrën në një kohë të caktuar.
Bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij kanë akuzuar autoritetet e burgut se nuk i kanë ofruar ndihmën e duhur mjekësore dhe kanë shprehur shqetësimin për shëndetin e tij.
Me hapjen e gjyqit të zotit Navalny, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm shpalli grupin e të drejtave të njeriut Agora me seli në Bullgari si një organizatë “të padëshirueshme”. Njoftimi thotë se grupi përbën një “kërcënim për rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare” duke pretenduar shkelje të të drejtave të njeriut dhe duke ofruar ndihmë ligjore për anëtarët e lëvizjes opozitare.
Autoritetet ruse kanë ndaluar dhjetëra organizata joqeveritare vendase dhe të huaja për arsye të ngjashme.
Në Berlin, qeveria gjermane kritikoi gjyqin e zotit Navalny dhe përsëriti thirrjen e saj për lirimin e menjëhershëm të tij.
“Në rastin e politikanit opozitar Alexei Navalny, autoritetet ruse vazhdojnë të kërkojnë justifikime të reja për të zgjatur burgimin e tij”, u tha gazetarëve zëdhënësi i qeverisë gjermane Wolfgang Buechner.
“Qeveria gjermane vazhdon të kërkojë nga autoritetet ruse që të lirojnë Navalnyn pa vonesë”, shtoi ai.
“Burgosja e Navalny-t mbështetet në një vendim të motivuar politikisht, sipas vlerësimit që e dha Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në vitin 2017”.
I pyetur nëse Gjermania mund t’i jepte ndonjë ndihmë zotit Navalny apo të vëzhgonte gjyqin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Christian Wagner tha se zyrtarët gjermanë po bënin atë që mundnin “në ato pak kanale që kemi”, por pranoi se ishte “shumë e vështirë momentalisht” duke pasur parasysh gjendjen aktuale të marrëdhënieve me Rusinë.
(Zëri i Amerikës)