Kiev, 23 shtator 2022 – Të premten, në rajonet ukrainase të kontrolluara nga Moska, filluan votimet në referendumet për bashkim me Rusinë, njoftuan zyrtarët lokalë të mbështetur nga Rusia.
Referendumet e orkestruara nga Kremlini, që janë denoncuar gjerësisht nga Ukraina dhe perëndimi si të rremë dhe pa asnjë forcë ligjore, shihen si një hap drejt aneksimit të territoreve nga Rusia.
Votimet po mbahen në rajonet Luhansk, Kherson dhe në zonat pjesërisht të kontrolluara nga Rusia, në Zaporizhia dhe Donetsk.
Votimi, në të cilin banorët pyeten nëse duan që rajonet e tyre të jenë pjesë e Rusisë, me siguri do të rrjedhë në rrugën e përcaktuar nga Moska. Kjo do t’i jepte Rusisë pretekstin për të pretenduar se përpjekjet e forcave ukrainase për të rimarrë kontrollin janë sulme ndaj vetë Rusisë, duke përshkallëzuar në mënyrë dramatike luftën që filloi shtatë muaj më parë.
Referendumet pasojnë urdhrin e presidentit rus Vladimir Putin për një mobilizim të pjesshëm, i cili mund të shtojë rreth 300.000 trupa ruse në luftë. Votimi do të vazhdojë për pesë ditë me radhë.
Ndërsa votimi po zhvillohet në rajonet e pushtuara, mediat sociale ruse janë plot me skena dramatike të familjeve të përlotura që u japin lamtumirën burrave që nisen nga qendrat e mobilizimit ushtarak. Në qytetet gjithandej vendit, burrat përqafojnë familjarët që qajnë para se të nisen. Veprimtarët rusë kundër luftës, ndërkohë, planifikojnë më shumë protesta kundër mobilizimit.
Zyrtarët zgjedhorë do të dërgojnë fletë votimi në shtëpitë e banorëve dhe do të vendosin qendra votimi të improvizuara pranë ndërtesave të banimit gjatë katër ditëve të para të referendumeve, sipas zyrtarëve të instaluar nga Rusia në rajonet e pushtuara, të cilët përmendën shkaqet e sigurisë. E marta do të jetë dita e vetme kur votuesit do të ftohen në qendrat e rregullta të votimit.
Vendvotimet u hapën edhe në Rusi, për refugjatët nga rajonet e pushtuara.
Denis Pushilin, udhëheqësi separatist i autoriteteve të mbështetura nga Moska në rajonin e Donetskut, e quajti referendumin “një moment historik”.
Vyacheslav Volodin, kryetar i dhomës së ulët të parlamentit të Rusisë, iu drejtua rajoneve të pushtuara të premten në një deklaratë në internet, duke thënë: “nëse vendosni të bëheni pjesë e Federatës Ruse – ne do t’ju mbështesim”.
Valentina Matviyenko, kryetarja e dhomës së lartë të parlamentit të Rusisë, tha se banorët e rajoneve të pushtuara po votonin për “jetë a vdekje” në referendume.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përmendi vetëm shkurtimisht “referendumet e rremë” në fjalimin e tij të natës, në të cilin ai foli në rusisht për t’u thënë qytetarëve rusë se ata “po hidheshin drejt vdekjes”.
“Ju jeni tashmë bashkëpunëtorë në të gjitha këto krime, vrasje dhe tortura ndaj ukrainasve, sepse keni heshtur. Sepse po heshtni. Dhe tani është koha që ju të zgjidhni. Për burrat në Rusi, kjo është një zgjedhje midis vdekjes dhe jetës, për t’u sakatuar ose për të ruajtur shëndetin. Për gratë në Rusi, zgjedhja është të humbisni bashkëshortët, djemtë, nipërit e mbesat tuaja përgjithmonë, ose ende të përpiqeni t’i mbroni ata nga vdekja, nga lufta, nga një person”.
Votimet zhvillohen në sfondin e luftimeve të pandërprera në Ukrainë.
Të premten në mëngjes, zyrtarët pro-rusë në rajonin e Zaporizhzhias raportuan një shpërthim të fuqishëm në qendër të Melitopolit, një qytet që Moska e pushtoi herët në luftë. Zyrtari Vladimir Rogov nuk dha hollësi se çfarë e shkaktoi shpërthimin dhe nëse kishte dëme dhe viktima.
Autoritetet e mbështetura nga Moska në rajonin e Donetskut akuzuan gjithashtu forcat ukrainase për bombardimin e qytetit të Donetskut, kryeqytetin e rajonit, dhe qytetin e afërt, Yasynuvata.
Zyrtarët ukrainas, nga ana tjetër, raportuan raunde të reja të bombardimeve ruse në pjesë të ndryshme të vendit. Vitaliy Kim, guvernator i rajonit Mykolaiv në Ukrainën jugore që kufizohet me rajonin e Khersonit, njoftoi për shpërthime në qytetin e Mykolaivit në orët e para të së premtes.
Valentyn Reznichenko, guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk, tha se rusët lëshuan një breshëri bombardimesh në Nikopol, një qytet në bregun tjetër të lumit Dnieper, nga centrali bërthamor Zaporizhzhia, të premten në mëngjes.
(Zëri i Amerikës)