Grupi i miqve të popullit sirian konsultohet në konferencën ndërkombëtare në Romë për rrugëdaljet nga konflikti në Siri.
Edhe pse kishte refuzuar fillimisht, në konferencën e Romës pritet të marrë pjesë edhe aelanca më e madhe opozitare siriane, Koalicioni Kombëtar. Në bisedime do të shqyrtohen mundësitë edhe për ndihma konkrete për kryengritësit. Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry i cili gjithashtu do të marrë pjesë në takim, tha se Uashingtoni është duke kërkuar rrugë për ta përshpejtuar tranzicionin politik.
Në grupin e miqve të Sirisë bëjnë pjesë vendet arabe dhe perëndimore si dhe organizata ndërkombëtare. Gjermania përfaqësohet në konferencë nga ministri i Jashtëm Guido Westerwelle.
Shefi i diplomacisë franceze Laurent Fabius tha në prag të takimit se bashkësia ndërkombëtare është e mendimit që zoti Bashar al-Assad duhet të largohet. “Për çdo ditë, edhe sot, ne kemi më shumë se 100 njerëz të vrarë në Siri. Kjo gjendje nuk mund të zgjasë kështu”, tha Fabius.
Në konfliktin e Sirisë presidenti francez François Hollande kërkoi edhe nga Rusia një qëndrim më të ashpër kundrejt udhëheqjes në Damask. (DW)