Glasgou, 13 nëntor 2021 – Grupet negociatore nga rreth 200 vende të botës, pjesëmarrëse në samitin e OKB-së për klimën, miratuar një marrëveshje të re pas një ndërhyrjeje të minutës së fundit nga India për të zbutur gjuhën lidhur me energjinë e prodhuar nga qymyri.
Disa vende, përfshirë shtetet e vogla ishullore, thanë se ishin thellësisht të zhgënjyera nga kjo lëvizje për të ndryshuar formulimin: nga “heqje dorë” në “dhënie fund gradualisht”, të energjisë së prodhuar nga qymyri, burimi i vetëm më i madh i dioksidit të karbonit, përgjegjës për krijimin e efektit serrë.
Disa vende u shprehën kritike ndaj këtij formulimi, por thanë se ishte diçka që duhej ta pranonin me synimin për t’i dhënë fund dy javëve bisedime të OKB-së për klimën në Glasgou të Skocisë.
Sipas negociatorëve më e rëndësishmja është që marrëveshja ruan, megjithëse me vështirësi, objektivat kryesore për të kufizuar ngrohjen në 1.5 gradë Celsius (2.7 gradë Fahrenheit) në nivelet që ishte në periudhën para-industriale.
Përpara bisedimeve në Glasgou të Skocisë, OKB kishte vendosur tre kritere për sukses të samitit dhe asnjëri prej tyre nuk u arrit. Kriteret e OKB-së përfshinin premtime për të përgjysmuar emetimin e dioksidit të karbonit deri në vitin 2030, 100 miliardë dollarë ndihmë financiare nga vendet e pasura për të varfërit, si dhe garanci që gjysma e këtyre parave të shkonin për të ndihmuar vendet në zhvillim që ato të përshtatet me efektet më të rënda të ndryshimeve klimatike.
(Zëri i Amerikës)