Beograd, 11 maj 2023 – Prokuroria e Serbisë për krim të organizuar (TOK) njoftoi se është arrestuar një grup personash të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, pas procedurës para-hetimore disa muajshe në territorin e Beogradit, Nishit, Llazarevcit, Suboticës dhe Zrenjaninit, janë arrestuar 13 persona, me inicialet: M. S, M. L, M. J, D. Gj, M. M, D. N, I. C, R. R, G. P, M. R, V. S, M. P. dhe L. L.
Shefi i Departamentit të policisë kriminale, Ninosllav Cmolliq, tha se të arrestuarit në Serbi dyshohet se janë “trafikantët më të mëdhenj të kokainës nga Ballkani”.
Siç tha ai, organizata “Karteli ballkanik” është zbuluar me ndihmën e Europolit.
Sipas Cmolliqit, besohet se ai kartel “qëndron pas ngarkesave shumëtonëshe të kokainës që arritën në Evropë nga Kolumbia, Brazili, Ekuadori, por edhe përmes Afrikës Perëndimore”.
“Ky aksion ka rezultuar me largimin e organizatës më të madhe kriminale të trafikut të drogës nga Ballkani”, shtoi ai.
Në territorin e Serbisë janë arrestuar M.S dhe M.L, të dyshuar si organizatorë të një grupi kriminal, si dhe 11 persona të tjerë të dyshuar si drejtues të celulave të pavarura të organizatës kriminale.
Siç tha Cmolliq, informacionet nga aplikacioni celular Sky ishin qenësore për zbulimin e kartelit.
“Së paku, shtatë ton kokainë të kapura në vitin 2020 janë të lidhura me udhëheqësit e arrestuar sot dhe anëtarët e arrestuar më parë të kartelit të lartpërmendur”, tha kreu i policisë kriminale.
Ai shtoi se informacionet aktuale tregojnë se “Karteli ballkanik” vepronte në mënyrë të pavarur.
“Se a ka qenë i lidhur me klane të tjera, këtë do ta tregojë hetimi në ditët dhe muajt në vijim”, shtoi ai.
Ai theksoi se hetimet janë duke vazhduar dhe se ende po kryhen bastisje në disa lokacione në Serbi.
Prokuroria e Serbisë për krimin e organizuar njoftoi se një grup i organizuar kriminal vepronte edhe në zonën e Karaibeve të Arubës dhe se në shkurt të vitit 2022 kishte kontraktuar shumën prej 4.5 milionë eurosh për vetëm një dërgesë droge.
Mësohet se ky grup i organizuar kriminal përbëhet nga 20 persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge.
“Nga shtatë persona që nuk u arrestuan, dy prej tyre janë duke vuajtur dënimin me burg, gjagjësisht paraburgim, sipas vendimeve të Holandës dhe Perusë. Një është në paraburgim me bazë tjetër në Nish dhe katër janë në arrati”, njoftoi Prokuroria për krim të organizuar.
Kjo prokurori specifikoi se përmes ndihmës juridike ndërkombëtare u mblodhën provat që kanë të bëjnë me përdorimin e aplikacionit Sky dhe provat që kanë të bëjnë me subjektet e konfiskimeve nga vende të tjera, kryesisht nga Franca.
Konfiskimet e kokainës, të cilat ndërlidhen me këtë kartel, kanë qenë jashtë territorit të Serbisë.
Konfiskimi më i madh, rreth pesë ton kokainë, ndodhi në ishullin Aruba në Detin e Karaibeve. Në Belgjikë u kapën 1.2 ton kokainë, ndërsa në Holandë 743 kilogramë.
(REL)