Në SHBA, debat mbi mbajtjen e maskës dhe vaksinimin e detyrueshëm

Uashington, 2 gusht 2021 – Pas përhapjen së variantit “Delta” të koronavirusit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vendoset rregulla  të reja për mbajtjen e maskës. Disa punëdhënës dhe pronarë restorantesh kanë filluar të kërkojnë nga klientët e tyre edhe dëshmi të vaksinimit.

Shtetet e Bashkuara po përballen me një rritje të rasteve të Covid-19, për shkak të variantit të tij më ngjitës “Delta”. Në dy spitale në San Francisko janë infektuar më shumë se 200 punonjës. Sipas gazetës The New York Times, shumica e tyre ishin plotësisht të vaksinuar. Gjatë fundjavës, Florida theu rekordin e saj një-ditor për nga numri i rasteve të reja, duke shënuar mbi 21,000 infeksione.

“Në fakt, ne po ndeshemi në një sfidë shumë serioze të shëndetit publik, me një virus që ka një aftësi të jashtëzakonshme të përhapet shpejt nga një person tek tjetri”, thotë këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për shëndetësinë, Dr. Anthony Fauci.

Duke marrë parasysh se 100 milionë amerikanë nuk kanë bërë vaksinën, zyrtarët po përpiqen të marrin masa të reja. Javën e kaluar, Presidenti Joe Biden njoftoi se punonjësit federalë duhet të vaksinohen, ose do të përballen me testime të detyrueshme, një veprim që disa sindikata të punonjësve e kritikuan, duke e konsideruar një shkelje të të drejtave të punëtorëve nga qeveria.

Ndërkohë, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë që të gjithë, madje edhe të vaksinuarit, të mbajnë maskën në ambientet e brendshme, ku mundësitë e transmetimit të virusit janë të larta. Mjeku i Dhomës së Përfaqësuesve e ka bërë të detyrueshëm mbajtjen e maskës për të gjithë personelin e Kongresit. Disa ligjvënës e kritikuan rregullin e ri, i cili nuk prek Senatin.

“CDC-ja është bërë një krah politik i administratës dhe dëshiron të kontrollojë çdo aspekt të jetës sonë”, tha udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

Rekomandimet e reja të shëndetit publik mund të shkelin lirinë personale të njerëzve, thotë Dr Fauci, por edhe moszbatimi i tyre mund të jetë shkelje e të drejtave të individëve.

“Nëse infektoheni, edhe nëse nuk shfaqni simptoma, ju mund të infektoni një person tjetër që mund të jetë i pambrojtur dhe mund të sëmuret rëndë. Pra, në thelb, ju po shkelni të drejtat e tyre individuale sepse po i rrezikoni ata”, thotë këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për shëndetësinë.

Ndryshimi i rregullave mund të ketë një efekt pozitiv. Sipas njoftimeve të rrjetit CNN, ritmi i vaksinimit në Shtetet e Bashkuara u rrit 21% javën e kaluar krahasuar me tre javët e mëparshme. Rritja e nivelit vaksinimit është edhe më e lartë në disa shtete jugore, të cilat kanë nivelet më të ulëta të vaksinimit në vend.

(Zëri i Amerikës)