Shën Petersburg (Rusi), 29 shtator 2022 – Ndërsa sulmi rus ndaj Ukrainës ka ngecur përballë kundërofensivës ukrainase, tensionet janë rritur në të gjithë shoqërinë ruse. Pavarësisht nga shtypja e qeverisë, protestat dhe thirrjet kundër luftës po shtohen. Qyteti i Shën Petersburgut, një qendër e kundërshtimit të luftës, është sërish në krye të lëvizjes qytetare kundër zhvillimeve të fundit në vend.
Për disa vite, anëtarët e opozitës në asamblenë e qytetit të Shën Petersburgut janë mbledhur në këtë piceri sepse autoritetet nuk i lejojnë ata të hyjnë në sallën e bashkisë.
Javët e fundit, ky grup i vogël i anëtarëve të asamblesë së qytetit tronditi politikën ruse, duke paraqitur një peticion zyrtar për shkarkimin e presidentit rus Vladimir Putin.
“Vendosëm të përdorim një retorikë të re. Ne jemi deputetë liberalë dhe deri më tani jemi marrë më shumë me çështjet sociale. Në këtë peticion për largimin e Putinit, ne përqëndrohemi në faktin se ai i ka shkaktuar dëme thelbësore Federatës Ruse, jo një shteti tjetër, por qytetarëve të vendit tonë”, thotë Dimitri Paliuga, përfaqësues i Qarkut Smolny.
Kërkesa e tyre për të hequr presidentin rus nga pushteti bazohet në besimin e tyre se lufta në Ukrainë, që ai e quan një ‘operacion special ushtarak’, është një projekt personal i presidentit rus.
“Jam i bindur se nëse Vladimir Putini largohet nga posti i presidentit, ky ‘operacion special’ (në Ukrainë) nuk do të vazhdonte”, thotë zoti Paliuga.
Këta përfaqësues të opozitës tashmë janë gjobitur dhe ata e pranojnë se mund të përballen me akuza të mëtejshme penale.
“Shumë njerëz janë të shqetësuar për sigurinë tonë. Por dikush duhet të bëjë diçka”, thotë Dmitry Baltrukov, përfaqësues i Qarkut Smolny.
Peticioni ka nxitur gjithashtu shoqërinë civile të Shën Peterburgut të sfidojë në mënyrë të hapur qeverinë.
Në këtë lokal të vogël në Shën Petersburg, poetë të rinj mblidhen për të lexuar poezitë e tyre kritike për luftën e presidentit Putin në Ukrainë. Ata besojnë se ka ardhur koha të shprehin mendimet e tyre.
“Guximi i intelektualëve për të kundërshtuar luftën u jep njerëzve shpresë, u jep njerëzve motivim dhe forcë për të vazhduar përpjekjet kundër luftës pasi ata e kuptojnë se nuk janë të vetëm”, thotë Artur Yamaletdinov, poet dhe organizator i recitimit të poezive.
“Shumica e njerëzve edhe sot e kësaj dite qëndrojnë të heshtur. Por ndoshta kjo po ndryshon, sepse ne po shohim lajmet. Por do të duhet kohë”, thotë poeti Yury Zavorotniy.
Ekziston frika se këto veprime, sado të vogla qofshin, mund të çojnë në arrestime.
“Frika prek këdo, është një reagim normal. Vetëm idiotët dhe (udhëheqësi i opozitës ruse) Alexey Navalny nuk kanë frikë. Unë nuk jam Navalny dhe nuk jam idiot, kështu që po, kam frikë”, thotë poeti Dzhamil Nilov.
Sulmi i Putinit ndaj Ukrainës ka përmbysur sigurinë globale dhe ka zhytur Rusinë në paqëndrueshmëri politike dhe sociale. Është e vështirë të parashikohen pasojat afatgjata të luftës në Ukrainë.
Miliona të rinj rusë, një brez i tërë, përballen me një të ardhme shumë të pasigurt.
(Zëri i Amerikës)