Tiranë, 2 dhjetor 2021 – Policia e Shkodrës ka ndaluar të enjten dy persona, të dyshuar për vrasjen e ish deputetit dhe ish kryetarit të komunës Velipojës, Pashko Ujka, njofton Zëri i Amerikës.
Zëdhënësja e policisë ka thënë se dy të dyshuarit janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, ku po merren në pyetje në lidhje me ngjarjen.
Ish deputeti Pashko Ujka ishte i shoqëruar nga bashkëshorja kur u plagos, të hënën në mbrëmje, në afërsi të banesës, në qendër të qytetit të Shkodrës.
Sipas saj, të shtëna armësh nuk është dëgjuar, çka lë të dyshohet se ndaj tij është qëlluar me armë me silenciator.
Ish deputeti Ujka u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, por nuk arriti t’i mbijetojë një plage të marrë në kurriz, përkundër përpjekjeve të ekipeve mjekësore.
Dyshimet e para rreth vrasjes së Pashko Ujkës lidhen me detyrën e tij si kryetar i komunës së Velipojës në periudhën 2011-2015. Në atë periudhë kjo komunë e administronte njërën nga plazhet më të rëndësishme të vendit, atë të Velipojës, ku ka një numër të madh ndërtimesh të paligjshme.
(r. m.)