Tiranë, 23 gusht 2022 – Dita europiane e përkujtimit të viktimave të regjimeve totalitare bashkoi sot në Shkodër ish të burgosur dhe të përndjekur politikë të regjimit komunist. Ata vendosën kurora pranë monumentit të ngritur në përkujtim të viktimave të diktaturës në Shqipëri dhe morën pjesë në konferencën kushtuar kësaj dite.
Besim Ndregjoni, që drejton Unionin mbarëkombëtar për integrimin e ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, tha se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që, edhe pas 31 vitesh nga rrëzimi i komunizmit, ende nuk ka një ditë të kujtesës. Për këtë, shtoi ai, Unioni ka përgatitur tre projekligje për t’ia paraqitur në shtator parlamentit për miratim.
“Si union mbarëkombëtar kemi paraqitur projektligjin në parlament për Ditën e Kujtesës. Të ndërtohet në Tiranë parcela kombëtare e kujtesës për 6 mijë të zhdukurit dhe të promovohen me ligj kapacitete nga të përndjekurit politikë për të drejtuar institucionet kushtetuese”, tha zoti Ndregjoni.
Gjatë 31 viteve të fundit, pas rrëzimit të komunizmit, shoqëria shqiptare ka bërë shumë pak për nderimin e viktimave të komunizmit dhe ruajtjen e kujtesës. Bardha Saraçi, Mulleti, është një nga të përndjekurit politikë që, prej vitesh, po punon për dokumentimin e krimeve të periudhës së komunizmit, sidomos ndaj grave dhe vajzave shqiptare.
“Është ditë përkujtimore për të zhdukurit, për të vdekurit, për kampet e punës, për kampet e internimit edhe për burgjet e Shqipërisë. Unë, në veçanti, kam shkruajtur libra për femrën shqiptare, për kampin e Tepelenës, që është një kamp shfarosës, sepse aty është përjetu dhimbja më e madhe në Shqipëri, se kanë vdekur femijë, foshnje”.
Në konferencën përkujtimore të organizuar nga Unioni mbarëkombëtar për integrimin e ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, në bashkëpunim me shoqatën e ish të burgosurve politikë të Shkodrës, Filip Guraziu solli dëshmi nga krimet e periudhës së komunizmit.
“Brenda pak kohe, Shkodra me 40 mijë banorë u transformu në një burg gjigand, ku funksiononin 26 hetuesi dhe 13 burgje. Mijëra arrestime dhe pushkatime, në radhë të parë intelektualë dhe klerikë”.
Zotit Guraziu tha se Dita europiane e përkujtimit të viktimave të regjimeve totalitare, fashiste, naziste dhe komuniste, është një mesazh i rëndësishëm mbi nevojën e dekomunistizimit të shoqërisë dhe politikës shqiptare.
“Me keqardhje duhet të pranojmë se ende sot, mbas tre dekadave, nuk është realizu dekomunistizimi i institucioneve të shoqërisë shqiptare, dukuri që pengon përparimin demokratik të vendit si dhe bashkimin e Shqipërisë me familjen europiane”.
Megjithëse kanë kaluar 31 vite nga rrëzimi i komunizmit, shoqëria dhe politika shqiptare e kanë ende të vështirë të shkëputen plotësisht nga e kaluara totalitare, e cila shfaqet herëpashere në rrugë, institucione dhe në selitë e partive politike.
(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)