Shkodër, 24 prill 2024 – Promovimi i librit “Ora e Kosovës-Pavarësia dhe shtetndërtimi”, i ish Presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu, mblodhi sot në mjediset e Universitetit të Shkodrës të rinj dhe studiues nga Shqipëria dhe Kosova. Profesoresha e Universiteti të Shkodrës, Paulina Hoti, tha se libri dokumenton ngjarjet e rëndësishme që kanë shënuar Pavarësinë dhe Shtetndërtimin e Kosovës.
“Udhëheqja e delegacionit të Kosovës në bisedimet ndërkombëtare për finalizimin e statusit politik dhe shpalljen e Pavarësisë, qindra takime me përfaqësues të misioneve të ndryshme të Kombeve të Bashkuara, SHBA-së dhe shumë vendeve demokratike europiane, këmbimet, vizitat e shumta, i kanë shërbyer vertetë Orës së Kosovës falë edhe pranisë dhe dimencionit të autorit të veprës, Presidentit Fatmir Sejdiut”, deklaroi ajo.
Për rektorin e Kolegjit AAb në Kosovë, profesor Lulzim Tafa, libri “Ora e Kosovës- Pavarësia dhe Shtetndërtimi” sjell edhe momente të panjohura deri tani për publikun shqiptar.
“Në libër mund të gjeni momente shumë interesante dhe të panjohura për publikun, siç janë momentet prej kohës së rezistencës aktive paqësore e deri tek lufta çlirimtare, shpallja e Pavarësisë së Kosovës, periudha pas Pavarësisë dhe momentet e vdekjes se Presidentit Rugova ku, Presidenti Sejdiu ishte njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të tij”, deklaroi ai.
Edhe studiuesit e tjerë sollën vlerësime për librin e ish Presidentit Fatmir Sejdiu, duke veçuar pasurinë e dokumentacionit, ngjarjeve dhe problematikave që shoqëruan Kosovën në përpjekjet e saj për liri dhe Pavarësi nga regjimi serb.
Duke folur në promovimin e librit të tij, ish Presidenti Sejdiu vlerësoi nevojën që brezi i tanishëm, i cili përjetoi Pavarësinë, por edhe brezat e ardhëshëm, të kujdesen në veçanti për të shënuar historinë e vendit të tyre.
“Ishte ajo që nuk mund të mbaja në vete se ishte një barrë e vazhdueshme për të thënë shumëçka që ka qenë pjesë e punës tonë dhe, mund të them paralelisht, se është kureshtja e qytetarëve të vendit që më nxitën për të shkruar këtë libër. Natyrisht është një distancë kualitative edhe pse janë disa vjet që unë kam përfunduar me pozitën e Presidentit, por është një kohë, një etapë që shumë nga idetë e mija janë verifikuar edhe një here gjatë kësaj kohe”, tha ai.
Libri “Ora e Kosovës-Pavarësia dhe Shtetndërtimi” është promovuar së pari në Prishtinë në 16-vjetorin e Pavarësisë së Shtetit të Kosovës.
(Zëri i Amerikës)