Shkup, 21 nëntor 2024 – Të enjten në Shkup filloi punimet konferenca dy-ditore për luftën kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, në të cilën po marrin pjesë ekspertë të fushës, përfaqësues të organeve të ndjekjes, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të biznesit nga vendet e rajonit.
Ditën e parë të konferencës, e cila është organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut dhe Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, u diskutua për eksperiencat në luftimin e korrupsionit dhe për ndërtimin e partneritetit rajonal për luftimin e këtij fenomeni.
Ambasadorja amerikane Angela Aggeler tha se Shtetet e Bashkuara e kanë ngritur luftën kundër korrupsionit “në shtyllën qendrore” të strategjisë për sigurinë kombëtare.
“Në Ballkanin Perëndimor si dhe gjetiu kemi marrë masa për ndalimin e hyrjes së atyre që mundësojnë korrupsionin, përfshirë shtetas nga të gjithë vendet e përfaqsësuara në këtë konferencë. Nuk duhet përqendruar vetëm se tek ndëshkimi, por duhet të gjejmë rrugë për fuqizimin e atyre të cilët luftojnë çdo ditë për integritetin, drejtësinë dhe të vërtetën”, tha ajo, citon Zëri i Amerikës.
“Duhet të mbështesim vendosmërinë e atyre qe kane zgjedhur veprimin dhe jo heshtjen; përballjen dhe jo tërheqjen, si dhe guximin dhe jo frikën”, shtoi ambasadorja Aggeler.
Ajo bëri thirrje për krijimin e një rrjeti rajonal kundër-korrupsionit që do ta luftone këtë dukuri dhe premtoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fuqishëm me ju që përkrahni parimet demokratike dhe luftoni korrupsionin. Së bashku përmes bashkëpunimit, guximit dhe zotimit, jam e bindur se do t’ia arrijmë misionit të përbashkët”, theksoi ajo.
Zëvendës-kryeministri i Maqedonisë së Veriut i ngarkuar me Qeverisjen e Mirë, Arben Fetai, tha se korrupsioni mbetet një preh sfidave më të mëdha për vendin.
“Korrupsionit nuk është vetëm se një koncept abstrakt, por është një forcë shkatërruese shumëplanëshe që minon sistemet ekonomike, politike, ligjore dhe sociale. Korrupsioni gërryen themelet e besimit publik, devijon burimet esenciale dhe rrezikon vlerat themelore të demokracisë dhe të drejtave vtë njeriut”, tha ai.
“Korrupsioni, sipas zyrtarit të qeverisë së Maqedoonisë së Veriut, i shemb vlerat që na lidhin si shoqëri dhe helmon institucionet e vendit”, shtoi Fetai.
Ai theksoi se korrupsioni përbën kërcënim për sundimin e ligjit dhe vlerat demokratike në Maqedoninë e Veriut.
“Korrupsioni ka depërtuar në çdo cep të shoqërisë sonë, duke kërcënuar sundimin e ligjit, duke destabilizuar strukturën sociale dhe duke gërryer vlerat e çmuara demokratike”, theksoi ai.
Fetai tha se lufta kundër korrupsionit është prioriteti kryesor i qeverisë aktuale të Maqedonisë së Veriut dhe njoftoi se, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, do të krijohen mekanizma efikasë për parandalimin e korrupsionit.
Maqedonia e Veriut përballet me shkallë të lartë të korrupsionit në humë fusha, sidomos në systemin gjyqësor, në sistemin shëndetësor dhe në polici, për çka ka tërhequr vërejtjen komuniteti ndërkombëtar.
Vitin e kaluar, në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përfsdhirë edhe ish-Zëvendës-kryeministër Koço Angjushevi, biznesmeni nga Shkupi, Jordan (Orce) Kamçev, kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, ish-Kryeprokurorja e posaçme Katica Janeva dhe kryetari i një komune të Shkupit, Stevço Jakimovski.
(r.m.)