Në Shqipëri, arrestohen 13 persona të dyshuar për 3 milionë euro mashtrime me TVSH-në

Tiranë, 29 shtator 2022 – Prokuroria e Tiranës njoftoi të mërkurën se gjykata kishte miratuar kërkesat e saj për masë arresti me burg për 13 persona të akuzuar si të përfshirë në mashtrim me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, TVSH.

Në njoftimin e publikuar në faqen e Prokurorisë së Përgjithshme, prokuroria bën me dije se kishte zbuluar një sërë subjektesh fiktive dhe kishte arrestuar drejtuesit e tyre të akuzuar si të përfshirë në skemën e mashtrimit.

“Sa më sipër, nga analizimi dhe studimi i të dhënave të shoqërive objekt hetimi, rezulton se kanë funksionuar si furnizuese, kanë lëshuar fatura fiktive duke mos kryer asnjë blerje dhe duke mos ushtruar në asnjë moment aktivitet ligjor”, thuhet në njoftimin e prokurorisë, që shton se në zbulimin e skemës kishin bashkëpunuar edhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe policia e Tiranë.

Prokuroria po ashtu publikoi emrat e subjekteve fiktive, përfshinin “No-El Construction”, “G.S Construction”, “Fam Construksion”, “Tirana Universal Construksione, “Glob Construksion”, “Fredi 2021”, “Xhersi 2021”, “Aluku Grup”, “Joam”. Prokuroria identifikoi edhe 4 kompani që i cilësoi si “të lidhur ngushtë me subjektet përfituese”. Kompaninë “Mihola”, “E.L.2020 construksion”, “Amarildo Hasrama”,  dhe “Priam 20”.

Prokuroria thotë se kompanitë kishin prerë fatura fiktive me vlerë totale 1,2 miliard lekë, duke i shkaktuar shtetit një dëm finaciar në TVSH dhe tatim fitimi prej afërsisht 300 milion lekësh. Prokuroria thotë se faturat fiktive janë përdorur për të “rritur fiktivisht shpenzimet vjetore” dhe ulur normën e fitimit. Të arrestuarit sipas prokurorisë akuzohen për “Skemë Mashtrimi në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe “Bashkëpunimit”, parashikuar nga nenet 144/a dhe 25 e Kodit Penal.

Përfaqësues të kompanive të përmendura, një pjesë e të cilëve nga Italia, nuk qe e mundur të arriheshin.

Skemat e mashtrimit me TVSH-në janë bërë të zakonshme në Shqipëri në vitet e fundit. Por ndërsa prokuroria dhe tatimet kanë pretenduar zbardhjen e dhjetra rasteve, ata që janë dënuar kanë qenë vetëm pronarë fiktivë të kompanive fiktive, që në mjaft raste janë persona të panjohur.

Vetëm së fundmi, u raportua se në një skemë të ngjashme janë përfshirë kompanitë përfituese të parave publike për ngritjen e inceneratorëve në Tiranë, Fier dhe Elbasan.

Një raport Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili analizon situatën e administrimit tatimor në Shqipëri, vëren se sektori i ndërtimit ai që pranon më shumë fatura të tilla të pavërteta, pasuar nga sektori i kromit.

(Reporter.al)