Në Shqipëri arrestohen qindra shpërndarës droge

Tiranë, 14 shtator 2023 – Në Shqipëri, ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku njoftuan të enjten më 14 shtator gjatë një konference për shtyp rezultatet e një operacioni të shtrirë në disa qytete të vendit, për goditjen e fenomenit të shpërndarjes së lëndëve narkotike afër shkollave e blloqeve të banimit.

Duke e cilësuar si një mega-operacion mbarëkombëtar të koduar “Tempulli”, Rrumbullaku renditi rezultatet e 8 muajve të fundit, konkretisht të sekuestrimit të 829 kilogramëve cannabis sativa; 61.5 kg heroinë; 15.5 kg kokainë dhe 5.2 kg ekstazi.

Rrumbullaku tha se bazuar në aktet procedurale dhe provat e siguruara nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Fier, Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës, nga gjykatat respektive janë miratuar 296 masa sigurie; 356 vendime për kontroll banesash dhe ambientesh të tjera; janë ekzekutuar 214 masa sigurie; janë arrestuar në flagrancë gjatë kontrolleve 19 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 82 të tjerë. Në njoftim thuhet se pjesa më e madhe e shtetasve të arrestuar janë pjesë e 23 grupeve kriminale që veprojnë në qytetet Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan.

Shqipëria konsiderohet se pjesë e korridorit ballkanik të trafikimit të lëndëve narkotike. Megjithatë, hetimet e policisë dhe prokurorisë deri tanimë kanë dështuar të mbërrijnë tek trafikantët e mëdhenj të sasive të mëdha të kokainës dhe heroinës.

(Reporter.al)