Tiranë, 21 tetor 2023 – Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha, u arrestua të shtunën në mbrëmje nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash pas hetimeve disavjeçare lidhur me privatizimin e ish- Kompleksit Sportiv “Partizani”.
Për zotin Malltezi u kërkua arrest me burg, masë e cila u zbatua në mbrëmje në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.
Ndaj zotit Berisha, Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi si masë sigurie detyrimin për paraqitje pranë policisë gjyqësore si dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit.
Në një konferencë për shtyp, ish-kyeministri Berisha i quajti akuzat ndaj tij si të pabaza dhe të motivuara politikisht.
“Do të qëndroj me të gjithë forcën time. Nuk i druhem arrestimit dhe asgjëje, sepse akuzat janë ngritur pa asnjë bazë dhe janë sulme të mirëfillta politike të Edi Ramës. Ato vijnë pikërisht në çastin që opozita ka nisur lëvizjen pa kthim kundër diktaturës, që po ngre Edi Rama me vjedhjen e votave dhe të pasurive publike”, tha zoti Berisha.
Ai tha se lëvizja e deputetit brenda apo jashtë vendit nuk mund të cenohet pa miratimin e Kuvendit, megjithatë e pranonte sfidën, e cila e motivon edhe më shumë atë dhe ndjekësit e tij, që kanë nisur një lëvizje të re politike.
Zoti Berisha solli një seri detajesh mbi çështjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”, me të cilin sipas tij janë marrë qeveri dhe zyrtarë të lartë më herët.
Nën masa sigurie është vendosur sot edhe Fatmir Bektashi, njëri prej ndërtuesve të pallateve në truallin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Ligjshmëria e privatizimit të terreneve sportive të Klubit “Partizani”, më herët një terren në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, po hetohet prej disa vitesh nga SPAK, nën dyshimet për korrupsion të përmasave të mëdha nga ish-kryeministri Sali Berisha, nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe nga ish drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes.
Kompleksi sportiv me 26 mijë metra katrorë, që deri në atë kohë kishte qenë pronë e ushtrisë, u zëvendësua brenda pak vitesh nga një kompleks pallatesh, pas procedurave të privatizimit, që kreu qeveria “Berisha” gjatë dy mandateve të vitit 2005 dhe të vitit 2009.
Hetimet mbi privatizimin përmes shkeljeve të dyshuara ligjore të ish-kompleksit sportiv “Partizani” u nxitën më tej edhe nga një kallëzim i dorëzuar në SPAK nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, aktualisht ministër i Punëve të Brendshme.
Ish kryeministri Sali Berisha, dhe gjithë familja e tij, ku përfshihet edhe dhëndri Malltezi, janë përcaktuar nga SHBA-ja si të papërshtatshëm për të vizituar Shtetet e Bashkuara, për shkak të korrupsionit të lartë dhe cenimit të demokracisë.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)