Tiranë, 14 dhjetor 2022 – Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dënoi të mërkurën me 15 vite burg, 45 vjeçarin iranian, Bijan Pooladrag, i akuzuar për terrorizëm. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 10 vite dënim.
Iraniani u arrestua në tetor të vitit 2020 nën dyshimet se ishte vënë në shërbim të inteligjencës iraniane, dhe se po përgatitej për të goditur eksponentë të lëvizjes opozitare iraniane, Mojahedin-e-Khalq (MEK), të strehuar në Shqipëri në kampin “Ashraf 3”. Vetë Pooladrag kishte qenë fillimisht pjesë e tyre, për t’u shkëputur më pas, duke zgjedhur të jetonte jashtë kampit.
Në korrik të këtij viti, pati njoftime për kërcënime për një sulm të mundshëm ndaj kampit “Ashraf 3”, i vendosur në zonën e Manzës, pranë Durrësit. Pas këtyre njoftimeve, u anullua dhe samiti botëror i Iranit të lirë, i planifikuar të bëhej ato ditë në këtë kamp.
Strehimi i anëtarëve të lëvizjes opozitare, u konsiderua dhe si shkaku i sulmit masive kibernetetik që goditi Shqiëprinë në korrik të këtij viti. Qeveria shqiptare deklaroi se nga hetimet e specializuara, ishtë vërtetuar përtej çdo dyshimi, se pas sulmit qëndronte dora e autoriteteve iraniane, e për pasojë vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin.
Më herët, në tetor të vitit 2018, Shqipëria kishte dëbuar ambasadorin e Iranit dhe një diplomat tjetër iranian, të përfhirë në “aktivitete që cënojnë sigurinë në vend”. Ndërsa dy vjet më pas u dëbuan dy diplomatë të tjerë pasi dyshoheshin se në të vërtetë ishin, njëri anëtar i Gardës Revolucionare të Iranit, ndërsa tjetri pjesë e njësisë operacionale të shërbimeve sekrete iraniane.
(Zëri i Amerikës)