Në Shqipëri, deputetët e opozitës bëjnë një hap drejt bashkimit

Tiranë, 5 shtator 2023 – Dy vjet pas përçarjes së Partisë Demokratike, përfaqësues të dy grupimeve brenda saj kanë ndërmarrë të martën një hap bashkimi për të unifikuar aksionin opozitar në parlament.

Në tryezën e thirrur nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi morën pjesë ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetët që e mbështesin, së bashku me deputetë të partive aleate që kanë dalë nga lista e PD-së në zgjedhjet e vitit 2021.

Organizatorët shpërndanë një listë me 43 deputetë të pranishëm në mbledhje, ku mungonin deputetët mbështetës të Lulzim Bashës, franksioni i të cilit vijon të mbajë de jure siglën dhe vulën zyrtare të partisë.

Tryeza u drejtua nga Bardhi, i cili arsyetoi bashkimin me nevojën për një opozitë të fortë kundër qeverisjes pavarësisht divergjencave brenda vetes.

“Ndasitë në mendime dhe qëndrime brenda partisë tonë nuk do të na pengojnë që sot të unifikojmë një qëndrim të aksionit tonë opozitar kundër keqqeverisjes së Edi Ramës, duke e nisur me një agjendë të përbashkët parlamentare,” tha Bardhi.

Sipas tij, aksioni opozitar do të nisë me rikonceptimin e komisionit për reformën zgjedhore dhe me kërkesën për ngritjen e 3 komisioneve hetimore parlamentare.

Këto komisione, sipas Bardhit, do të fokusohen tek hetimi i kontratave koncensionare në shëndetësi, dyshimet për ndërhyrje në sistemin TIMS si dhe korrupsioni i qeverisjes.

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi takimin si mesazhin e duhur për votuesit e opozitës dhe dosmosdoshmëri për t’u përballur me qeverinë.

“Duhet të bëjmë gjithçka për një bashkërendim, dhe për të shfrytëzuar çdo hapësirë për të nxjerrë në shesh të vërtetën e këtij regjimi,” tha Berisha.

Berisha shtoi gjithashtu se takime të tilla do të vijojnë dhe ftoi publikisht që t’u bashkohen edhe deputetët e Partisë së Lirisë që drejtohet nga aleati  i tij, Ilir Meta, si dhe partia për Integrim dhe Unitet e drejtuar nga Shpëtim Idrizi.

Partia Demokratike nisi përplasjet brenda saj në shtator 2021, kur kryetari i atëhershëm, Lulzim Basha vendoi të përjashtojë nga grupi parlamentar Berishën, pas ai u shpall ‘non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por Berisha në aleancë me partinë e Metës treguan se kishin më shumë mbështetës që i votonin në zgjedhjet e pjesshme të marsit 2022. Basha u largua nën presionin e të vetëve për reformim të partisë, por ai u rikthye sërish në parti këtë verë edhe pse PD-ja që ai trashëgoi doli për herë të parë parti e tretë në rezultatet zgjedhore të 14 majit.

Të hënën në parlament, Basha tentoi të merrte edhe drejtimin e grupit parlamentar, ku ka humbur tashmë mbështetjen e shumicës së deputetëve.

This image has an empty alt attribute; its file name is Mbledhja-e-deputeteve-te-opoozites-Tirane-2.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Mbledhja-e-deputeteve-te-opoozites-Tirane.jpg

(Reporter.al)