Tiranë, 5 prill 2021 – Kolegji Zgjedhor në Shqipëri e përcaktoi modelin përfundimtar të fletëvotimit të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 25 prill.
Mbrëmjen e së dielës, pas një kalvari përplasjes mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe dy forcave kryesore politike, Kolegji miratoi modelin sipas të cilit në fletën e votimit nuk do të shënohen emrat e kandidadatëve të secilës parti, por vetëm numrat sipas renditjes së paraqitur nga partitë që i kanë propozuar. Sipas ndryshimeve ligjore, këtë herë zgjedhësit do të mund të votojnë përveç partisë, dhe për kandidatin e tyre të preferuar, ndonëse përparësi merr radha e përcaktuar nga forca politike së cilës ata i përkasin.
Komisioneri shtetëror Ilirjan Celibashi kishte propozuar një model në të cilin kandidatët të ishin me emrat dhe mbiemrat e tyre. Socialistët e kundërshtuan, duke mbështetur idenë se një fletë e tillë, veçanërisht në Tiranë, do të ishte jo vetëm e komplikuar për zgjedhësit, por do të vështrësonte dhe fazën e numërimit të votave. Ata propozuan që në vend të emrave, kandidatët të shënoheshin me numra. Edhe demokratët ishin kundër, por vetëm për faktin se sipas tyre emrat nuk duheshin shënuar horizontalisht, por vertikalisht
Çështja ishte shqyrtuar më parë nga Komisioni i Ankimeve dhe i Sanksioneve, në KQZ, ku kishte fituar varianti i propozuar nga Partia socialiste. Edhe Kolegji Zgjedhor, la në fuqi të njejtin vendim, duke mbyllur kështu debatet mbi këtë temë.
Por kapitulli për fletët e votimit mbetet i hapur, për një tjetër aspekt, duke qenë se në rrezik tani është prodhimi i tyre. Kompania sllovene “Celtis”, e cila ka marrë përsipër t’i shtypë ato, në përgjigje të një letre të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, theksonte dy ditë më parë, se afati i kërkuar 10 ditor (12 Prill-22 Prill) “është një mision i pamundur”. Sipas kompanisë, duke llogaritur kohën e nevojshme përgatitore, të papriturat e mundshme gjatë fazë së prodhimit apo dhe vështrësitë në transport, për shkak të kufizimeve anti COVID 19, “do të nevojiteshin më shumë se 20 ditë për të realizuar me sukses” këtë operacion. Një afat, i cili praktikisht do të bënte të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve me 25 Prill.
(Zëri i Amerikës)