Në Shqipëri, konfiskohen pasuritë e katër personave të akuzuar për krim të organizuar

Tiranë, 13 tetor 2023 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të premten, më 13 tetor për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurive të katër personave të akuzuar për krim të organizuar si dhe të pronave në emër të personave të lidhur me ta.

Tre prej personave të cilëve u janë konfiskuar pasuritë kanë qenë subjekte të Aktit Normativ Nr.1, datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit të sigurisë publike”, njohur ndryshe si Operacioni Forca e Ligjit, OFL i zbatuar nga Policia e Shtetit.

Sipas SPAK, Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për konfiskimin e pasurive të Ahmet Isufajt, xhaxhait të Arben Isufajt, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”, i dënuar më parë nga Gjykata e Torinos në Itali për trafik droge. Në dhjetor të vitit 2019, Ahmet Isufaj u arrestua bazuar në kërkesën e drejtësisë kosovare që e akuzonte për krim të organizuar dhe trafik të lëndëve narkotike, por më pas u la i lirë.

Në njoftim thuhet se janë konfiskuar një kompleks shërbimesh, bar-restorant, lavazh dhe parkim në zonën Sheq i Madh në Fier, në pronësi të Ahmet Isufajt dhe Mariana Isufajt; truall po në Sheq me sipërfaqe 1580 m2 me objekt ku gjenden dyqane me sipërfaqe 1200 m2 dhe një automjet i llojit “Audi A4” në pronësi të Amarilda Isufajt; si dhe një njësi me sipërfaqe 55.16 m2 në pronësi të shtetases E.Bregu (Isufaj) në lagjen 1 Maji në Fier.

Në fuqi është lënë dhe konfiskimi i pasurive të shtetasit Zaim Tafa të hetuar për trafik droge dhe personave të lidhur, shtetases Tefta Tafa. Familjes Tafa i janë konfiskuar një ngastër toke arë+truall me sipërfaqe totale 4500 m2 në Grizë të Patosit, nga të cilat 3060 m² është truall  dhe 1160 m² është ndërtesë, bar-restoranti “Kështjella”; tokë arë me sipërfaqe totale 1500 m², e cila ndodhet në Patos, në emër të Zaim Tafa e përdorur për ngritjen e bar-restorant “Kështjella” dhe të ambienteve të saj; tokë me sipërfaqe 440 m2, me adresë në Çukë në qytetin e Sarandës; apartament me sipërfaqe 63 m² në Sarandë; si dhe tre automjete.

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi edhe konfiskimin e pasurive të Lulzim Zefit dhe personave të lidhur me të, konkretisht 16 garazhe në zonën e Yzberishtit në Tiranë dhe një automjet. Lulzim Zefi është i dënuar për trafik droge në Angli.

Në vijim, SPAK bënë me dije se është bërë e mundur të ekzekutohet vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë lidhur me sekuestrimin e pasurive të shtetasit belg Dries Lonneux, person i akuzuar në Belgjikë nën akuzën “drejtues i një organizate kriminale”, “Trafikim lëndësh narkotike në bashkëpunim” dhe në veçanti për “Importimin e lëndës narkotike të llojit kokainë”. Sekuestrimet janë bërë mbi bazën e ligjit të quajtur ndryshe “Antimafia”. Shetetasit belg i janë sekuestruar pesë apartamente në Sarandë; ngastër toke arë + truall me sipërfaqe 5150 m2 nga të cilat 849 m2 truall dhe 283 m2 ndërtesë, në pronësi të shoqërisë “Ralet Green” shpk., përfituar me kontratë shitje nga Shoqëria “Ralet Green” shpk, përfaqësuar nga administratori Dries Lonnuex për shumën prej 250 mijë euro; ngastra toke me sipërfaqe 550 m2, 2890 m2, 1180 m2 dhe 1900 m2 në Tiranë, në pronësi po të kësaj shoqërie.

(Reporter.al)