Tiranë, 2 prill 2024 – Hetimi parlamentar synon të japë përgjigje për shqetësimet e ngritura për ndërhyrje të paligjshme në sistemin e regjistrimit të hyrje-daljeve të shtetasve të kufi, të njohur si TIMS, por kryetari i komisionit, Ervin Salianji nga Partia Demokratike, foli dhe për rrjedhjen e të dhënave të qytetarëve ose të ashtuquajturin “sistemi i patronazhistëve”.
Sipas Salianjit, ndërhyrjet në sistemin TIMS janë bërë kryesisht për llogari të grupeve kriminale dhe puna e komisionit do të fokusohet tek gjetja e përgjegjësive të institucioneve.
“Qëllimi i këtij komisioni është kontrolli i ligjshmërisë së veprimeve a mosveprimeve të organeve dhe funksionarëve publikë të ngarkuar me administrimin dhe mbrojtjen e të dhënave TIMS,” tha Salianji, por shtoi se gjithashtu, “do të hetohet si dolën të dhënat e mbi 900 mijë qytetarëve të Tiranës dhe dalja e listave të pagave për më shumë se 600 mijë qytetarë”.
Nënkryetari i Komisionit, Toni Gogu nga Partia Socialiste, tha se shqetësimi për ndërhyrjet në sistemin TIMS ishte i përbashkët dhe se mazhoranca ishte e angazhuar për një hetim të gjithanshëm, por kërkoi që objekti i hetimit të qëndronte tek kjo çështje. Po ashtu ai kërkoi që komisioni gjatë punës së tij të respektonte parimin e prezumimit të pafajësisë dhe të shqyrtonte vetëm provat, jo të ngrinte akuza.
Objekti i hetimit u vu në pikpyetje nga deputetja socialiste, Etilda Gjonaj e cila kërkoi riformulimin e tij.
“Objekti bie në kundërshtim me ligjin,” tha Gjonaj, duke i kërkuar opozitës që ta riformulojnë dhe ta kthejnë punën e komisionit në ‘ligjshmëri’.
Kërkesa e Gjonajt u kundërshtua nga Salianji, i cili i kujtoi se ka qenë Kuvendi në seancë plenare që ka vlerësuar objektin e hetimit dhe e ka miratuar pa kundërshtime. Ky komisioni hetimor do të vijojë më tej punën me miratimin e një plani hetimor, mbledhjen e provave dhe dëshmive.
Grupi parlamentar më i madh i opozitës që njihet si “Rithemelimi” iu rikthye jetës parlamentare duke ndërprerë protestat pasi arriti një kompromis politik me maxhorancën duke fituar të drejtën për ngritjen e dy komisioneve parlamentare, të cilat më herët i ishte mohuar opozitës.
Por, gjatë kohës që opozita protestonte në Kuvend, mazhoranca miratoi në mënyrë të njëanshme ndryshime në ligjin për komisionet hetimore, duke e reduktuar kompetencën e tyre përmes një mekanizmi bllokues të vendimeve me shumicën e votave.
Ky mekanizëm bllokues u përdor dhe të martën gjatë mbledhjes së komisionit hetimor për koncensionet në shëndetësi, ku mazhoranca rrëzoi listën e kërkesave për informacion për institucionet të propozuar nga opozita.