Nis procesi i zbatimit të projektit për ndërtimin e hekurudhës Vorë – Han i Hotit

Tiranë, 24 janar 2024 – Hekurudha Shqiptare nisi këtë javë ngritjen e njësisë së zbatimit të një prej projekteve më të rëndësishme të saj siç është ai për ndërtimin e linjës Vorë-Hani i Hotit.

Hekurudha bëri të ditur se plotësimi i këtyre vendeve bosh lidhet me drejtuesin e projektit, specialistin e prokurimit dhe kontratës, inxhinierin e sigurisë në kantier, inxhinierin elektrik dhe specialist mjedisi.

Faza e rekrutimit të njësisë për projektin në fjalë vjen vetëm një muaj pas shpalljes së tenderit në faqen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në atë kohë u njoftua se shërbimi i kërkuar ishte si i përgatitjes s projektit, rishikimi i Dizajnit, Mbështetja e Prokurimit dhe Monitorimi për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit.

Për këtë procedurë, tashmë thuajse jemi në fund të fazë së parë e cila është parashikuar deri në datë 31 janar dhe që ka të bëjë me shprehjen e interesit nga kompanitë potenciale.

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit është një nga linjat për të cilën ka pasur vëmendje të shtuar pas punës së nisur për rehabilitimin e linjës Tiranë-Durrës dhe pjesës së re në Rinas teksa vetëm pak ditë më parë u mbyll edhe kontrata për studimin e fizibilitetit të lidhjes me Kosovën Durrës-Prishtinë.

Vlera totale e projektit është 356 milionë euro, teksa do të jetë bashkëfinancim nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare, ku vendi ynë ka kërkuar hua.

Kështu të paktën 160 milionë euro janë grant nga Korniza për Investime në Ballkanin Perëndimor, 100 milionë euro janë hua nga BERZH dhe 100 milionë euro të tjera nga Banka Europiane e Investimeve. Projekti synon rehabilitimin dhe ndërtimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore.

Projekti është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.

Hekurudha Vorë-Hani Hotit kalon në shtatë bashki dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri. Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut.

Linja ekzistuese hekurudhore Vorë – Hani i Hotit u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi deri në kufirin e Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1985.

Tërmeti i 29 nëntorit 2019 ndërpreu funksionimin e kësaj linje për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Ishëm por edhe më herët shpejtësia e kalimit të trenave ishte shumë e ulët./N.Maho

(Monitor.al)