Tiranë, 24 prill 2024 – Të mërkurën, më 24 prill, në Shqipëri nisi zbatimi i ligjit për amnistinë penale, i cili është miratuar në Kuvend me konsensusin e mazhorancës dhe opozitës.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ishte sot në burgun e Rrogozhinës, ku e vuajnë dënimin numri më i madh i të dënuarve për vepra penale që përfitojnë nga amnistia.
Manja tha se sot lirohen nga burgu 780 të dënuar. Ai tha se këtij numri pritet të rritet edhe me personat që gjenden në komisariate, të cilët përfitojnë nga kjo amnisti.
Në total, numri i përfituesve nga amnistia është 1600, ndërsa përfitojnë ulje të dënimit edhe 800 të dënuar të tjerë.
“Në shkallë vendi, sot ka startuar zbatimi i ligjit për amnistinë, sot do lënë qelitë rreth 780 të dënuar, kjo shifër do të përditësohet se ka një numër të dënuarish që gjenden në komisariate dhe janë përfitues të amnistisë. 800 janë përfitues me ulje dënimi, në total 1600 të dënuar përfitojnë nga amnistia. 15 gra lirohen , 9 të tjera përfitojnë ulje dënimi dhe deri në vjeshtë lirohen, nga 38 të dënuara që gjenden në burgun Ali Demi në Tiranë, përfitues janë 3 të mitur, 2 përfitojnë ulje dënimi. Përfitues janë edhe 2666 persona në shërbim prove. Nga kjo amnisti buxhetit të shtetit i kursehen 30 milionë euro”, tha Manja.
(r.m.)