Tiranë, 28 mars 2022 – Në Shqipëri shumica socialiste njoftoi sot nisjen e përgatitjeve për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, që do të pasojë zotin Ilir Meta, mandati i të cilit përfundon në 24 korrik.
“Dëshira jonë është që të jetë një proces i hapur konsultimesh, brenda suazës së parlamentit, për t’u konsultuar me grupet e tjera, deputetë e këdo që është i interesuar, për të institucionalizuar një dialog konstruktiv, në funksion të procesit”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Ai bëri të ditur se bashkë me dy kolegët e tij Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri, janë mandatuar për të zhvilluar konsultimet.
Procesi duhet të nisë zyrtarisht më 24 maj dhe brenda 7 ditëve, duhet të mbahet votimi i parë.
Për zgjedhjen e kreut të Shtetit. kushtetuta ka parashikuar 5 raunde votimi. Në tre të parat nevojitet një shumicë prej tre të pestash. Ndërsa në dy raundet e fundit presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë.
Socialistët patën një përplasje të gjatë me presidentin Meta. Edhe sot zoti Balla, u shpreh se “Shqipëria më shumë se kurrë ka nevojë për një president normal. Duke qenë se nuk kemi patur gjithë këto kohë një president mbi palët, por palë mbi palët”.
Shumica e majtë, tentoi dy herë shkarkimin e tij. Herën e parë ajo u tërhoq nga nisma, pas Komisioni i Venecias vlerësoi se shkeljet e Kreut të Shtetit, nuk justifikonin shkarkimin. Ndërsa pak javë më parë Gjykata kushtetuese po ashtu rrëzoi vendimin e parlamentit i cili kishte votuar në favor të shkarkimit të zotit Meta. Gjykata shpjegoi se nuk kishte konstatuar “shkelje të rënda të kushtetutës”, nga ana e presidentit.
(Armand Mero, Zëri i Amerikës)