Tiranë, 11 prill 2023 – Pesë organizata të bizneseve të huaja dhe vendase shprehën sot shqetësimin e tyre për klimën aktuale të biznesit në Shqipëri, duke e cilësuar atë si “joefektive, dhe si një ndër sfidat kryesore të sipërmarrjes”.
Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham), Dhoma Gjermane e Tregtisë (DIHA), Dhoma Italiane e Tregtisë, Dhoma Franceze e Tregtisë dhe Confindustria Albania publikuan të martën një deklaratë të përbashkët, ku theksojnë se mjedisi aktual i biznesit në Shqipëri ka nevojë për përmirësime të konsiderueshme.
Ato i bënë thirrje Kuvendit, qeverisë dhe agjencive të tjera publike që të angazhohen me reforma gjithëpërfshirëse në ekonomi dhe investime.
Dhomat e Tregtisë me anëtarësi biznesesh të lidhura me SHBA-të, Gjermaninë, Italinë dhe Francën kërkuan “miratimin e një strategjie investimi për të reduktuar ndjeshëm pengesat burokratike”, një sistem për lëshimin e lejeve si dhe nxitjen e projekteve të bazuar mbi shumën e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Ato kërkuan zbatimin e një pakete për luftën kundër korrupsionit, me masa kundër rryshfetit sipas standardeve të OECD-së dhe me transparencë të agjencive publike.
“Kjo reformë do të rriste ndjeshëm besimin e komunitetit të biznesit në përgjithësi dhe veçanërisht të kompanive të huaja që investojnë në Shqipëri” – theksohet në deklaratë.
Midis kërkesave prej pesë Dhomave të Tregtisë renditet edhe nevoja për një reformë që të rritet besueshmëria dhe rezultatet e prokurimeve publike.
“Duhen miratuar Standardet e të Dhënave të Hapura të Kontraktimit (Open Contracting Data Standards) në proceset e prokurimeve, duke eliminuar “përjashtimet e veçanta” nga prokurimi i fondeve publike”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.
Krahas transparencës me gazetarët dhe shoqërinë civile mbi procesin e prokurimeve, ata kërkuan konsultime publike me qytetarët dhe grupet e interesit gjatë zbatimit të ligjeve dhe vendimeve të qeverisë.
Dhomat e Tregtisë kërkuan goditjen e informalitetit në ekonomi, mosndryshimin e ligjeve tatimore në periudha më pak se 4 vjet, si dhe modernizimin e sistemit të taksave sipas standardeve ndërkombëtare.
“Kjo reformë do të krijojë një regjim taksimi më të parashikueshëm dhe më të qëndrueshëm, për të tërhequr investimet e huaja dhe ato vendase” – thuhet në deklaratë.
Organizatat e sipërmarrjeve propozuan që një Këshill i ri Ekonomik Kombëtar të mbështesë investimet e huaja të drejtpërdrejta, duke shërbyer si platformë për dialog dhe bashkëpunim midis sektorëve publik dhe privat, për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe për krijimin e një klime më të favorshme investimesh.
“Këto reforma të propozuara do të krijojnë një mjedis biznesi më të favorshëm në Shqipëri, do të tërheqin investime të huaja të drejtpërdrejta dhe do të lehtësojnë tranzicionin e Shqipërisë në BE dhe tregjet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Dhomave të Tregtisë.
Raportet ndërkombëtare e përmendin korrupsionin në Shqipëri si një dukuri e vazhdueshme në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë edhe prokurimet publike si dhe partneritetet publike – private.
Përfaqësuesit e qeverisë pohojnë se përgjegjësia e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion është individuale para gjykatës, dhe se lufta kundër korrupsionit po jep rezultatet e para pas reformës në sistemin e drejtësisë, prej të cilit kanë pritshmëri të larta qytetarët dhe institucionet vendase e ndërkombëtare.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)