Në Shqipëri, partitë e vogla sfidojnë status quo-në në zgjedhjet parlamentare

Fjori Sinoruka, BIRN

 

Në një sistem që favorizon dy lojtarët e mëdhenj, rivalët e tyre më të vegjël tradicionalisht nuk kanë pasur asnjë shans – por a mund të jenë gjërat ndryshe në zgjedhjet e ardhshme të majit 2025?

 

Shqipëria nuk i pret me shumë optimizëm apo interes zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.

Opozita kryesore e qendrës së djathtë, Partia Demokratike, ka pësuar ndarje të thella, duke sjellë krijimin e të paktën dy partive të reja të vogla. Partia Socialiste në pushtet, e drejtuar nga Edi Rama, ndërkohë ka mbajtur pushtetin që nga viti 2013.

Në zgjedhje do të konkurrojnë edhe disa parti më të vogla. Shanset e tyre për sukses janë të vogla; disa fajësojnë një sistem që nuk lejon koalicione parazgjedhore; të tjerë fajësojnë mënyrën se si votojnë normalisht shqiptarët, që historikisht ka qenë ose për PS-në ose PD-në.

Për këtë arsye, partitë e vogla janë shpesh objekt talljeje, duke u parë si parti që thjesht hyjnë në zgjedhje dhe nuk fitojnë kurrë mandate.

Por, duke pasur parasysh gjendjen e PD-së në tre vitet e fundit, duke pësuar një ndarje të brendshme të shkaktuar nga një luftë për pushtet mes themeluesit të partisë, Sali Berisha, dhe pasardhësit të tij, Lulzim Basha, disa shohin një “mundësi të artë” që partitë e vogla të përfitojnë nga kjo dhe të fitojnë realisht mandate.

Një argument tjetër në favor të tyre është se ndërsa Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka akuzuar personazhe drejtuese të të dyja partive kryesore për korrupsion, shpërdorim detyre apo edhe lidhje me krimin e organizuar, liderët e partive të vogla ende nuk janë “testuar” me pushtetin.

Një sistem kundër të sapoardhurve

Vendvotim në Shqipëri

Vendvotim në Shqipëri

Sistemi i ri zgjedhor i Shqipërisë i lë partitë e vogla në një disavantazh të dukshëm krahasuar me aktorët kryesorë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, ka bërë të ditur se në përputhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të rënë dakord mes opozitës kryesore dhe mazhorancës socialiste, partitë që do të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme do të duhet të paraqesin lista të mbyllura me 46 kandidatë dhe lista të hapura me 146 kandidatë, me gjithsej 192 kandidatë secila për 140 mandatet parlamentare.

Shqiptarët në këto zgjedhje do të votojnë për partinë që preferojnë nga njëra anë dhe për kandidatin që preferojnë nga kandidatët e kësaj partie nga ana tjetër.

Vota e tyre së pari do të zgjedhë kandidatët fitues të përcaktuar nga partia. Më pas, nëse ajo parti merr më shumë kandidatë fitues se sa ka në listat e mbyllura, kandidati me më shumë vota nga listat e hapura do të hyjë në parlament.

Ashtu si në zgjedhjet e kaluara, sistemi është i vështirë për partitë e vogla ose të reja që duan të konkurrojnë kundër partive të mëdha.

Ata do të duhet të gjejnë një numër të madh kandidatësh, probabiliteti i të cilëve për t’u zgjedhur është hipotetik. Nëse një parti e vogël synon të fitojë një, dy ose tre mandate në zonat e mëdha dhe një mandat për zonat e vogla, të gjithë kandidatët fitues do të përcaktohen nga listat e mbyllura.

Rigels Xhemollari, kreu i “Qëndresa Qytetare”, një organizatë që fokusohet te zgjedhjet, beson se partitë e vogla mund të fitojnë disa mandate në këto zgjedhje, por duhet të fokusohen edhe në qarqe të tjera përveç Tiranës.

“Pritshmëritë e mia janë që këto parti të kenë mandate në parlamentin e ardhshëm, por ato duhet t’i kanalizojnë forcat e tyre në qarqe të veçanta … për të maksimizuar votën dhe për të llogaritur mandatin”, tha Xhemollari për BIRN.

Garuesit e vegjël shpresojnë për sukses

Ndërtesa e Kuvendit të Shqipërisë, Tiranë

Ndërtesa e Kuvendit të Shqipërisë, Tiranë

Janë katër parti të vogla kryesore, të cilat disa vëzhgues mendojnë se mund të hyjnë në parlament – nëse luajnë në mënyrë inteligjence

Njëra është “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, 35 vjeç, një avokat dhe aktivist. Ai nuk është një personazh publik i panjohur. Për rreth 13 vjet ai ka qenë një aktivist i hapur i përfshirë në fushata të ndryshme Në tetor 2023, ai krijoi “Shqipëria Bëhet”.

Lëvizja, ndër të tjera, ka synuar diasporën e madhe shqiptare – anëtarët e së cilës do të mund të votojnë jashtë vendit për herë të parë në këto zgjedhje pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor vitin e kaluar.

Lapaj tha se krijimi i partisë ka qenë “vendimi më i vështirë në jetën e tij” dhe se do të advokonte për një demokraci më të drejtpërdrejtë përmes referendumeve dhe meritokracisë.

Një lëvizje qytetare, ajo aspiron të “forcojë sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, konkurrencën, meritokracinë dhe funksionimin demokratik të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në faqen zyrtare të partisë.

Një tjetër e sapokrijuar është partia e qendrës së djathtë “Mundësia”, e udhëhequr nga Agron Shehaj, një deputet i zgjedhur si deputet i Partisë Demokratike, por që u largua nga partia dhe themeloi “Mundësia” në 2023.

Biznesmeni 48-vjeçar është shkolluar në Itali dhe ka nisur angazhimin e tij në jetën politike në vitin 2017.

“Arsyeja (e largimit nga PD-ja) është se ajo nuk mund të vazhdonte më në atë mënyrë. Pashë mungesë drejtimi, mungesë vullneti dhe plani për të rinovuar Partinë Demokratike, për ta hapur Partinë Demokratike, e cila është e vetmja mënyrë për t’u bërë të besueshëm ndaj elektoratit dhe për t’u dhënë një alternativë reale shqiptarëve”, tha ai për Zërin e Amerikës në dhjetor 2023.

“Në një kohë kur politika është e ndarë, ne besojmë në një parti të qendrës së djathtë që plotëson nevojat e sotme, duke u fokusuar në zhvillimin ekonomik, lirinë individuale dhe mbrojtjen e vlerave tradicionale. Nëpërmjet inovacionit dhe bashkëpunimit, ne besojmë se mund të ndërtojmë një shoqëri të fortë dhe të qëndrueshme ku të gjithë kanë mundësi”, thuhet në faqen zyrtare të partisë.

Një tjetër premtuese është Lëvizja Bashkë  e orientuar nga e majta, e drejtuar nga Arlind Qori, 41 vjeç, profesor i shkencave politike në Universitetin e Tiranës dhe aktivist për disa çështje sociale, si të drejtat e punëtorëve dhe studentëve.

Në vitin 2021 iu bashkua lëvizjes së quajtur “Organizata Politike” dhe në vitin 2022 filloi të drejtojë Lëvizja Bashkë.

Të dyja lëvizjet kanë organizuar protesta me fokus çështjet sociale. Në zgjedhjet e vitit 2021 ata mbështetën së bashku një kandidat të pavarur për deputet, por ai nuk e fitoi një mandat.

“Lëvizja BASHKË është parti e së majtës demokratike, që lufton për një shtet social, zhvillim të qëndrueshem dhe drejtësi shoqërore. Ne besojmë te demokratizimi rrënjësor i jetës së vendit dhe përfshirjes së gjerë dhe aktive të qytetarëve në proceset vendimmarrëse”, thuhet në faqen zyrtare të saj.

Është edhe Nisma Thurje, e drejtuar nga Endri Shabani që nga viti 2020. Në vitin 2013 ai ndoqi një master për drejtësi në Universitetin e Oksfordit në Angli. Në vitin 2014, ai fitoi bursën Clarendon për studimet e doktoraturës në departamentin e politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Oksford, të cilat i përfundoi në vitin 2020.

Nisma Thurje themelua në vitin 2014 si një organizatë e shoqërisë civile dhe ka organizuar disa protesta kundër korrupsionit. Ajo gjithashtu ka referuar disa çështje në prokurorët e SPAK.

“Nisma THURJE beson në demokracinë nga poshtë-lart si motorri kryesor i përpjekjeve të shqiptarëve për të përmbushur aspiratat e përbashkëta. Manifesti ynë politik Karta 2020 parashtron një vizion për demokraci pjesëmarrëse në Shqipëri dhe nënvizon hapat specifikë për të qëndruar në rrugën e integrimit evropian dhe për të fuqizuar demokracinë liberale”, thuhet në faqen zyrtare të saj.

Ideologjitë e ndryshme e bëjnë të pamundur bashkimin e forcave

Listat e votuesve, Shqipëri

Listat e votuesve, Shqipëri

Analisti politik nga Tirana, Ermal Hasimja, paralajmëron se, përveç faktit që sistemi zgjedhor nuk lejon koalicione parazgjedhore, një problem tjetër për partitë e vogla është se të gjitha kanë ideologji të ndryshme.

“Partitë e reja janë kapur në rrjetën e problemeve të partive klasike dhe veçanërisht në problemin e besueshmërisë. Secili premton të zëvendësojë një qeveri të korruptuar me një qeveri të ndershme”, tha Hasimja për BIRN.

“Në thelb, partitë e reja nuk kanë bërë aq sa duhet për të bindur votuesit masivisht, sepse premtimi nuk ofron asnjë garanci përveç asaj vetëdeklarative”, shtoi ai.

Ai vuri në dukje gjithashtu se, duke qenë se partitë e vogla kanë të gjitha ideologji të ndryshme, kjo do të minonte integritetin e tyre nëse ato do të fillonin të bashkëpunonin.

“Më duket e pamundur që Agron Shehaj me profilizimin e tij si i djathtë të bashkëpunojë me Arlind Qorin, i cili është marksist. Nuk ka kuptim.”

“Nëse e bëjnë këtë, do ta bëjnë me hipokrizi të plotë. Kjo çështje bashkëpunimi nuk ka kuptim për momentin, kur ne duam prej tyre koherencë dhe integritet moral”, përfundoi ai.

(Reporter.al)