Tiranë, 26 tetor 2021 – Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi projekt-buxhetin e shtetit për vitin 2022 në Konferencën e Kryetarëve.
Gjatë prezantimit, ajo tha se dy objektivat kryesore të projekt-buxhetit janë konsolidimi i rimëkëmbjes ekonomike dhe i qëndrueshmërisë fiskale të vendit.
Ibrahimaj tha se rritja ekonomike për vitin e ardhshëm pritet të jetë 4.1 për qind, ndërsa borxhi publik do të ketë tendencë uljeje.
Pas një viti të vështirë, si 2020 kur pas pasojave të tërmetit, vendit ju desh të përballej dhe me pandeminë, vitit 2021 sipas parashikimeve pritet të shënojë një rritje ta lartë ekonomike, me 7.6 përqind. Një parashikim i cili është në linjë dhe me pritshmërinë e institucioneve financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar dhe Banka Botërore.
E sikundër dhe këto të fundit kanë paralajmëruar, edhe qeveria shqiptare po ashtu, pret që ritmi i rritjes të ulet në vitin e ardhshëm. “Për vitin 2022 parashikojmë një rritje të ekonomisë me 4.1% duke mbajtur një nivel mesatar prej mbi 4% për vitet pasuese 2023 dhe 2024”, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në Konferencën e Kryetarëve në parlament.
Pritshmëria e qeverisë shqiptare është pak më optimiste se ajo e Fondit Monetar apo dhe Bankës Botërore, sipas të cilave rritja do të jetë poshtë 4 përqindëshit.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se për vitet 2022-2024 rritja ekonomike pritet të nitet nga konsumi privat si dhe nga investimet: “Konsumi final total për periudhën afatmesme, 2022 – 2024, parashikohet të rritet në terma real me mesatarisht rreth 2.6 përqind në vit, duke kontribuar me mesatarisht 2.4 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB. Ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma real mbi nivelin 5.5 përqind në vitet 2022-2024, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.2 pikë përqindje në vit”.
Të paktën 20 miliardë lekë, ose gati 200 milionë dollarë do të shkojnë për fondin e rindërtimit nga pasojat e tërmetit, ndërsa afro 27 milionë dollarë pritet të përdoren për blerjen e vaksinave anti covid.
Institucionet financiare ndërkombëtar kanë bërë thirrje që qeveria të bëjë kujdes me deficitin fiskal dhe borxhin e lartë publik.
“Deficiti fiskal parashikohet me 5.4% e PBB, në ulje krahasuar me të pritshmin e 2021 prej 6.8% të PBB. Niveli i borxhit publik do t’i rikthehet qartësisht trajektores rënëse në vitin 2022 me një vlerë rreth 78.9% të PBB nga rreth 80% që pritet të jetë në fund të vitit 2021”, bëri të ditur ministrja Ibrahimaj.
Qeveria e kryeministrit Edi Rama është gjendur nën kritikat e vazhdueshme të opozitës për politikat ekonomike të ndjekura. Partia demokratike propozoi sot në parlament uljen nga 20 në 6 përqind të Tatimit mbi Vlerën e shtuar për produktet ushqimore të shportës. “Kjo është në përgjigje të një krize. Kjo nuk është një masë që ka ardhur nga asgjëja, është një përgjigje ndaj krizës së pandemisë që dëmtoi rëndë 95% të qytetarëve vitin e kaluar, është duke pasur pasoja akoma edhe sot, dhe është një përgjigje që janë duke e marrë të gjitha vendet. Ne nuk po themi që kjo do të funksionojë në mënyrë perfektë në rastin e Shqipërisë sepse këtu mungon kontrolli i tregut. Por kjo do të shkojë ndihmë direkt për qytetarët. Ulja e TVSH-së do të ketë një ndikim të menjëhershëm në treg, që sot çmimet kanë arritur në një situatë të jashtëzakonshme”, deklaroi deputetja demokrate Jorida Tabaku.
Shumica e ka bërë të qartë paraprakisht se nuk do e pranojë një masë të tillë, e cila sipas saj, nuk reflektohet automatikisht te çmimet. Po ashtu as Fondi Monetar e as Banka Botërore nuk janë shprehur në favor të një ndërhyrjeje të tillë.
(Zëri i Amerikës)