Tiranë, 23 janar 2023 – Në Tiranë, prokuroria njoftoi se po bën verifikimin e një audio-regjistrimi të publikuar dy ditë më parë, i cili thuhet se përmban urdhërat e dhwnw nga komandantët e Gardës Kombëtare gjatë protestës së 21 janarit tëvitit 2011, ku e humbën jetën 4 protestues dhe u plagosën shumë të tjerë.
Ministri i drejtësisë, Ulsi Manja, pohoi se një kallëzim penal për këtë çështje do ta dorëzojë sot në SPAK, (Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit).
Po sot ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi para mediave se protesta e 12 viteve më parë ishte një përpjekje e socialistëve për të marrë pushtetin me dhunë dhe se ato që quheshin “provat e reja” ishin falsifikime.
Prokuroria e Tiranës bëri sot të ditur se po kryen verifikime mbi regjistrimet e publikuara nga gazetari Artan Hoxha në emisionin “Zona Zero” të televizionit “Top Channel” lidhur me ngjarjet e 21 janarit 12 vjet më parë, ku humbën jetën nga armët e zjarrit 4 protestues dhe u plagosën shumë të tjerë.
Prokuroria saktësoi që në shkurt të vitit 2020 pezulloi hetimet, sepse nuk u identifikuan autorët e dy prej vrasjeve dhe një seri plagosjesh, por pas një viti hetimet rifilluan, ndërsa aktualisht nisën verifikimin e dhënave të publikuara nga gazetari Hoxha i kronikës së kriminalitetit në vend.
Ministri i drejtësisë Ulsi Manja deklaroi se 21 janari nuk është hetuar asnjë ditë si vrasje shtetërore, zbatuar nga një zinxhir komendues dhe se do të dorëzojë sot në SPAK kallëzimin penal, si organi përkatës për hetimin e zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë shtetëtorë.
“Do të kallzojmë në SPAK ish kryeministrin Sali Berisha, ish ministrin e brendshëm dhe ish komandantin e Gardës së Republikës, si dhe gjithë zinxhirin tjetër të Gardës së Republikës, që ka dalë pas publikimit të një prove të re në mediat e vendit për 21 janarin”, thotë zoti Manja.
Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha, i akuzuar nga socialistët si autor i atyre ngjarve, deklaroi se të dhënat e reja janë të manipuluara, duke përsëritur se 21 janari përbën një përpjekje tragjike për grusht shteti dhe marrje të pushtetit me dhunë nga socialistët, ndërsa dhunën e organizoi kryetari i tyre Edi Rama.
“Edi Rama nuk gjeti kurrë kurajon që të paraqitej para prokurorisë, ndonëse u thirr për të dëshmuar. Edi Ramën do ta ndjekë gjithë jetën përgjegjësia penale për organizimin e asaj dhune”, tha zoti Berisha.
Dy ditë më parë pushtetarë socialistë dhe familjarë të viktimave gjatë protestës së 21 janarit vendosën, ashtu si për vit, lule në vendet e vrasjes së tyre në shëtitoren Dëshmorët e Kombit pranë selisë së kryeministrisë.
Kryeministri Edi Rama shënoi në rrjetet sociale se mori pjesë në këto homazhe me pritjen e pafundme që drejtësia të bëjë drejtësi”.
Ai dhe socialistë të tjerë po i referohen publikimit nga gazetari Artan Hoxha të komunikimeve në radiot e komandantëve të Gardës së Republikës më 21 janar.
Gjatë asaj proteste 12 vjet më pare ishin mijëra protestues, përkrahës të opozitës socialiste, që erdhën nga gjithë qytetet e vendit në shëtitoren Dëshmorët e Kombit për të marrë pjesë në demonstratën e organizuar nga Partia Socialiste kundër korrupsionit të dyshuar të qeverisë Berisha.
Ata u përleshën për disa orë me policinë e shtetit, që mbronte kryeministrinë, dhe në fund nisën breshëritë e armëve të zjarrit nga Garda e Republikës, prej nga mbetën 4 të vrarë dhe shumë të plagosur.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)