Në Shqipëri, qeveria i shpërfill institucionet e kontrollit, s’i plotëson vakancat

Tiranë, 5 prill 2022 – Shërbimi i Monitorimeve të Institucioneve në Kuvendin e Shqipërisë ka vërejtur një neglizhencë të Këshillit të Ministrave për plotësimin e vakancave në disa prej institucioneve të rëndësishme në vend.

Gazeta “Panorama” ka siguruar raportin që Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve i ka dërguar pak ditë më parë Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kryetarëve të Komisionit Parlamentar.

Ajo që bie në sy është fakti se Këshilli i Ministrave prej 13 muajsh ka lënë me një anëtar më pak Komisionin e Prokurimeve Publike.

“Qe nga muaji shkurt 2021, në Komisionin e Prokurimit Publik është krijuar një pozicion vakant si pasojë e dorëheqjes së znj. Enkeleda Bega, emëruar me vendimin nr. 78/2018 të Kuvendit, datë 28.06.2018. Sipas përcaktimeve të pikës 2 të nenit 25 të ligjit nr. 162/2020 ‘Për prokurimin publik’, kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik emërohen nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave.

Kuvendi ka i dërguar disa shkresa kujtesë Këshillit të Ministrave mbi plotësimin e kësaj vakance, por Këshilli i Ministrave nuk ka paraqitur ende në Kuvend kandidaturën përkatëse për këtë pozicion, i cili rezulton vakant prej 13 muajsh”, thuhet në dokumentin që ndodhet në tavolinën e Nikollës.

KONKURRENCA

Vakanca 13-mujore në Komisionin ku vendosen fituesit e tenderëve nuk është i vetmi vend që ka mbetur bosh për shkak të vonesave të shkaktuara nga qeveria. Po kështu, Kuvendi ka vërejtur vonesa të Këshillit të Ministrave edhe për 2 anëtarë të Autoritetit të Konkurrencës, të cilët monitorojnë tregun në mënyrë që të mos ketë sjellje monopoliste.

“Aktualisht rezulton se u ka përfunduar mandati dy anëtareve të Komisionit të Konkurrencës, znj. Juliana Latifi, zgjedhur me vendimin e Kuvendit nr. 88/ 2016, datë 15.12.2016 dhe znj. Leida Matja, zgjedhur me vendimin e Kuvendit nr. 29/ 2017, datë 23.03.2017. Znj. Latifi dhe znj. Matja janë propozime të Këshillit të Ministrave. Ne zbatim të përcaktimeve ligjore të nenit 111, pika 3, të Rregullores së Kuvendit, Këshilli i Ministrave, në cilësinë e propozuesit, duhet të depozitonte në Kuvend kandidaturat për anëtar të Komisionit të Konkurrencës 45 deri ne 30 ditë përpara mbarimit të mandatit të anëtarit.

Gjithashtu, Kuvendi i është drejtuar Këshillit të Ministrave, duke njoftuar paraprakisht për përfundimin e mandatit të anëtares së Komisionit te Konkurrencës, znj. Juliana Latifi, me shkresën nr. prot 2090/1, datë 27.09.2021. Këshilli i Ministrave nuk ka paraqitur ende në Kuvend kandidaturat përkatëse për këto pozicione”, thuhet në dokument.

Sakaq, me vonesë është shpallur edhe thirrja për kandidat për Avokatin e Popullit. Kujtojmë që mandati i Avokates së Popullit Erinda Ballanca ka përfunduar. “Bazuar në sa më sipër, znj. Erinda Ballanca i mbaron mandati në datën 22.05.2022.

Shërbimi i Monitorimit, me anë të memos nr. prot. 835, datë 21.02.2022, ka njoftuar Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut se, sipas pikës 1 të nenit 9 të ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, ‘Për Avokatin e Popullit’, të ndryshuar, Kuvendi i Shqipërisë jo me vonë se tre muaj përpara përfundimit të mandatit të përcaktuar në nenin 7, shkronja ‘b’, duhet të publikojë shpalljen e vendit vakant të Avokatit të Popullit.

Në zbatim të pikës 1 të nenit 9 të ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999 ‘Për Avokatin e Popullit’, Kuvendi i Shqipërisë duhej të publikonte shpalljen e vendit vakant të Avokatit të Popullit brenda datës 22.02.2022″, thuhej në dokument.

NISIN PROCEDURAT PËR AVOKATIN E RI TË POPULLIT

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen e datës 29.03.2022, vendosi shpalljen e vakancës së Avokatit të Popullit. Ky post mbahet aktualisht nga Erinda Ballanca.

Bashkëngjitur me njoftimin për nisjen e procedurave për Avokatin e ri të Popullit, Kuvendi ka shfaqur edhe disa nga kriteret kryesore. Kriteri i parë për kandidatin është që të jetë shtetas shqiptar.

Kandidatët duhet të kenë njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit; të shquhen për aftësi profesionale dhe figure të pastër etikomorale; çdo kandidat duhet të paraqesë dëshminë e penalitetit dhe nuk duhet të ketë qenë i dënuar. Kandidati mund të jetë një ish-deputet, por të mos ketë mandat aktualisht.

Ndërsa një tjetër kriter i rëndësishëm është që kandidati nuk duhet të bëjë pjesë në parti apo organizata politike, nuk duhet të kryejë veprimtari tjetër politike, shtetërore e profesionale apo të marrë pjesë në organizmat drejtues të organizatave shoqërore, ekonomike dhe tregtare.

Edhe INSTAT me mungesë anëtarësh. Qeveria, prej 8 muajsh nuk e çon zëvendësuesin

Instituti i Statistikave është neglizhuar gjithashtu nga Këshilli i Ministrave. Prej 8 muajsh, Këshilli i Statistikave ka një anëtar më pak, por megjithatë kjo nuk ka përbërë problem për qeverinë. Ndërkohë mësohet se qeveria nuk është kujtuar, ndonëse ka pasur edhe një letërnjoftim nga Kuvendi.

“Pasi depozitohet në Kuvend propozimi nga Këshilli i Ministrave, Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit përgjegjës, bazuar në nenin nr. 111, pika 4, të Rregullores së Kuvendit, nenin 22, pika 1, të ligjit nr. 17/2018, ‘Për statistikat zyrtare”, zhvillon seancën dëgjimore me kandidaturën e paraqitur, vlerësohet përmbushja e kritereve ligjore, meritës, eksperiencës profesionale dhe më pas i paraqitet seancës plenare për votim.

Kuvendi i ka dërguar një shkrese-kujtesë Këshillit të Ministrave mbi plotësimin e vakancës.

Këshilli i Ministrave nuk ka paraqitur ende në Kuvend kandidaturën përkatëse për këtë pozicion të mbetur vakant prej 8 muajsh”, thuhet në dokumentin në fjalë.

(Panorama.al)