Në Shqipëri, rritet numri i rasteve pozitive me koronavirus

Tiranë, 13 korrik 2022 – Autoritetet e Shëndetësisë në Shqipëri njoftuan të martën se rastet e reja të infektuara me virusin korona po rriten dhe se ka pasur edhe raste të humbjes së jetëve nga ky virus. Vetëm në 24 orët e fundit, 2623 testime të kryera kanë rezultuar me 1215 raste të reja të infektimit, që do të thotë se afërsisht çdo i dyti i testuar ka rezultuar pozitiv.

Personat e diagnostifikuar në 24 orët e fundit janë nga mbarë Shqipëria, por numri më i madh janë nga Tirana.

Në këtë periudhë kohore e kanë humbur jetën dy persona të prekur nga Covid: një 45 vjeçar nga Kavaja dhe një  84 vjeçar nga Gjirokastra.

Sipas autoriteteve të Institutit të Shëndetit Publik, aktualisht në spitalet anti-Covid në Shqipëri janë dukeu trajtuar 27 persona.

Situata me pandeminë në Shqipëri bëhet më shqetësuese për shkak të heqjes së masave anti-Covid dhe nivelit të ulët i vaksinimit. Të dhënat zyrare tregojnë se më pak se 50 për qind e popullsisë i kanë marrë dy doza të vaksinave, vetëm 13 për qind e popullsisë e kanë marrë dozën e tretë, kurse numri i atyre që e kanë marrë dozën e katërt është i papërfillshëm.

Sipas statistikave zyrtare pacientët e shtruar në spital gjatë këtij muaji janë persona që kanë bërë vetëm dozën e parë të vaksinës ose janë fare të pavaksinuar. Doza e tretë e vaksinës konsiderohet e domosdoshme për moshat 60 vjeç e lart në parandalimin e infektimit.

Komiteti Teknik i Ekspertëve po u bën thirrje qytetarëve ta marrin dozën e tretë të vaksinës. 

(r.m.)