Në Shqipëri, rritja ekonomike ngadalësohet, ndërsa bujqësia bie në recesion

Tiranë, 2 prill 2024 – Bujqësia shqiptare, një nga sektorët më me potencial për zhvillim në një vend që përjeton bum turistik, pësoi një rënie vjetore në prodhim prej 0.68% gjatë vitit 2023, ndërsa kishte pësuar një rritje minimale prej 0.06% në vitin paraardhës. Rënia e bujqësisë vjen në një kohë kur fondet e shumta të Bashkimit Evropian dhe subvencionet e paguara nga qeveria, supozohej se do të duhej të kishin dhënë efekt në rritjen e saj. Situata as nuk pritet të përmirësohet së shpejti për shkak se Bashkimi Evropian i pezulloi fondet e ndihmës për Shqipërinë në korrikun e vitit të kaluar pas dyshimeve për korrupsion.

Ekonomia shqiptare në tërësi u rrit me 3.44% në vitin 2023 sipas vlerësimit paraprak të INSTAT, duke u ngadalësuar nga kuota 4.86% e vitit 2022 dhe 8.91% e vitit 2021.

Rritja ekonomike prej 3.44% është poshtë potencialit të rritjes së vlerësuar nga FMN në rreth 4.5%, por nga ana tjetër, kjo është një rritje e pabarabartë. Kështu, ndërsa sektori i bujqësisë, në të cilin vlerësohet se punon një pjesë domethënëse e popullsisë shqiptare, pësoi recesion, rritja prej 3.44% u furnizua në pjesën më të madhe nga investimet në sektorin e ndërtimit dhe aktiviteti i pronave të patundshme, sektorë nga i cili përfitojnë një numër i vogël shqiptarësh.

Kështu, sektori i ndërtimit u rrit me 9.7% ndërsa ai i pronave të patundshme u rrit me 11.3%.

Të dhënat mbi rritjen ekonomike, të ballafaquara me ato të bilancit të pagesave, duket se i përkasin dy botëve të ndryshme. Ndërsa te rritja ekonomike nuk vërehet asgjë e jashtëzakonshme, në kuptimin që rritja është poshtë potencialit dhe e përafërt me rritjen mesatare shumëvjeçare të dekadës së fundit, bilanci i pagesave paraqet ndryshime domethënëse. Llogaria korrente, e cila mat hyrjet dhe daljet e valutës për arsye të ndryshme, kishte një deficit në nivelin e mbi 1 miliardë eurove në vitin 2022 dhe kjo është situata e zakonshme e ekonomisë shqiptare gjatë viteve të fundit. Por deficiti i llogarisë korrente u reduktua në mënyrë dramatike në vetëm 191 milionë euro, shifra më e ulët në histori. E megjithatë, pavarësisht se deficiti është reduktuar në mënyrë dramatike, ai vijon të mbetet deficit. Do të thotë që, të 191 milionë eurot e dala më shumë se sa hyrjet valutore do të duhej të rëndonin në vlerën e lekut në kursin e këmbimit. Ajo që ndodhi ishte e kundërta. Një shumë parash me origjinë të panjohur duket se ka mbuluar deficitin dhe ka qenë mjaftueshëm më e madhe sa të shkaktojë një forcim të lekut me gati 10%.

Dhe këto ndryshime dramatike në bilancin e pagesave dukshëm kanë dhënë, jo efekt pozitiv në ekonominë e gjerë, por me gjasa, kanë dhënë efekt negativ. Rritja ekonomike vijon të mbetet vetëm 3.44% në një kohë që Shqipëria mbetet një vend me të ardhura të ulëta, e për rrjedhojë, me potencial për rritje ekonomike normale prej 5 apo 6 për qind në vit.

(Reporter.al)