Në Shqipëri, sekuestrohen 50 milioë euro që dyshohet se rrjedhin nga droga

Prokuroria e Tiranës ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e biznesmenëve Elman Abule, Kristian Boçi dhe familjarëve të tyre, pasi dyshohet se janë krijuar me para që rrjedhin nga trafiku i drogës në Belgjikë.

 

Prokuroria e Tiranës njoftoi të premten më 28 qershor sekuestrimin e 50 milionë eurove pasuri në emër të shtatë personave, pasi dyshohet se janë frut i pastrimit të parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike në Belgjikë. Mes pasurive të sekuestruara renditen 14 shoqëri tregtare, HEC-e, ndërtesa, troje, njësi tregtare, vila etj..

“Nga hetimi i kryer, u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit E. A. në bashkëpunim me shtetasin K. B., E. B. etj., kanë konsumuar veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe bashkëshortet e tyre. Shtetasi E. A. rezulton i dënuar në Belgjikë, ku ka kryer edhe dënimin në kuadër të grupeve kriminale”, citohet në njoftim dhe shtohet se E. A. dyshohet se ka konsumuar dhe veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”.

Hetimi mbi këto shoqëri tregtare, HEC-e, ndërtesa, troje, vila, njësi e apartamente, që vlerësohen se kapin vlerën totale prej rreth 50 milionë euro, ekspozon dhe rolin e bankave të nivelit të dytë në mbështetjen e skemave të pastrimit të parave nëpërmjet kredive të pajustifikuara, të garantuara nga vetë banka – situatë që prokuroria e cilëson si të “çuditshme”.

Nga burime të prokurorisë mësohet se E.A. është biznesmeni Elman Abule, i cili ka themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin të maskojë kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme. “Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të shtetasve K. B. apo V. A., kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale”, sqaron prokuroria.

Një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Abules mësohet të jenë biznesmeni Kristian Boçi, i cili në rrjetet sociale përshkruhet si një “influencer” dhe “bamirës”.

Prokuroria bënë me dije se është konstatuar kryerja e disa veprime fiktive nga këta persona, si shitje – blerje automjeti, ku në të njëjtën ditë është kryer anulimi i veprimit juridik, duke u shitur më tej mjeti me çmim shumë të lartë.

Ka hetimi janë konstatuar marrje të kredive nga banka të nivelit të dytë në vlera që sipas organit të akuzës janë në nivele të pajustifikuara. “[…]Ku vetë banka çuditërisht del edhe garant i shumave të dhëna”, thotë prokuroria.

Po ashtu, është evidentuar krijimi i shoqërive fiktive, për të cilat është provuar se megjithëse nuk kanë kryer aktivitet financiar, kanë pasur rritje të dukshme të kapitalit themeltar. Tjetër aktivitet i personave të dyshuar për pastrim parash kanë qenë dhe dhënia e huave në shuma të konsiderueshme, por duke mos u justifikuar burimi i ligjshëm i krijimit të tyre.

Në vijim, prokuroria konstaton se janë krijuar shoqërive me kuota të përbashkëta midis Elman Abule dhe Kristian Boçi, si dhe personave të tjerë të hetuar, duke u përcaktuar vlera të mëdha të kuotave, por të pashlyera nga ortakët respektivë.

Tjetër gjetje e hetimit ka qenë dhe evidentimi i blerjes së HEC-eve me vlera të konsiderueshme, por pa pasur të përligjur burimin e të ardhurave.

Bazuar në këto të dhëna të nxjerra nga hetimi, prokuroria ka kërkuar vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për 14 shoqëri tregtare,

Një prej shoqërive i janë sekuestruar dy ngastra toke e llojit arë, me sipërfaqe totale 5720 m2; katër ndërtesa, një prej të cilave me sipërfaqe 2300 m2; si dhe një truall.

Janë vendosur nën sekuestro pasuritë e Kristian Boçit, konkretisht të dy njësive, një e blerë për 9.3 milionë lekë dhe tjetra 600 mijë euro; dy dyqane, një me sipërfaqe 222 m2 dhe tjetri 220.8 m2 dhe verandë me sipërfaqe 285 m2; dy garazhe me vlerë 25 mijë euro secili dhe një autoveturë e llojit “Mercedez Benz”, në shumën 117 mijë euro.

Prokuroria ka sekuestruar edhe pasuritë e të hetuarve E.A. dhe M.N., të një vile me sipërfaqe ndërtimi 171.6 m2 dhe sipërfaqe trualli 300.8 m2, me vlerë 370 mijë euro; një tjetër shtëpi e llojit “Vilë Single A2”, me sipërfaqe ndërtimi 334.2 m2 dhe sipërfaqe parcele 550 m2, me çmim blerje 480 mijë euro dhe një trualli të blerë për 370 mijë euro. Gjithashtu, janë vendosur nën sekuestro dhe llogari bankare të subjekteve, pranë bankave të nivelit të dytë.

(Reporter.al)