Në Shqipëri sekuestrohet naftë e kontrabanduar me vlerë 2.2 milionë dollarë

Tiranë, 13 shtator 2022 – Roja bregdetare në Durrës bllokoi anijen cisternë “Queen Majeda” dhe i arrestoi katër anëtarë të ekuipazhit të saj, të dyshuar se kishin futur në Shqipëri 2275 ton naftë kontrabandë.

Anija cisternë “Queen Majeda”, e cila ishte nisur 4 ditë më parë nga Porti i Benghazit në Libi, drejt Portit të Durrësit, u bllokua nga policia shqiptare me dyshimet se ishte duke transportuar naftë të dyshuar si kontrabandë.

Anija u bllokua nga Roja Bregdetare Shqiptare dhe disa agjenci të tjera ligj zbatuese, që e shoqëruan anijen në Terminalin Perëndimor të Portit.  Policia e Durrësit njoftoi se në anijen cisternë sekuestroi 2275 ton naftë kontrabandë, me vlerë rreth 2.2 milionë dollarë, duke  arrestuar 4 persona dhe proceduar në gjendje të lirë 6 të tjerë, që dyshohen si bashkëpunëtorët e tyre.

Autoritetet bënë me dije se hetimi ndaj anijes “ishte shtrirë në disa muaj dhe u finalizua me arrestimin e kapitenit të anijes, 54 vjeçarit me iniciale Z. A., pjesëtarëve të ekuipazhit”. Veç kapitenit u ndaluan edhe tre anëtarë të ekuipazhit nga Libia dhe Siria.

Operacioni i zhvilluar në anijen 72 metra të gjatë që lundronte nën flamurin e Kamerunit është i treti muajt e fundit, ku në mjete më të vogla lundruese janë kapur rreth 105 mijë litra naftë që ishte depozituar në ambiente të përshtatura në motopeshkatore (anije peshkimi).

Pas operacionit të së martës policia procedoi në gjendje të lirë edhe shtetasit që ishin me banim në Libi, që dyshohen si bashkëpunëtorë, personat me iniciale A. B., 43 vjeç, A. A., 46 vjeç, A. N., 40 vjeç, A. E., 53 vjeç, A. H., 21 vjeç dhe A. K., 29 vjeç.

Me rritjen e çmimit të karburanteve muajt e fundit si rrjedhojë e konfliktit ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës, çmimet e naftës në bursë u rritën, ndërsa po ashtu u duket se janë shtuar edhe përpjekjet për kontrabandë.

Më 23 korrik policia finalizoi operacionin e parë të quajtur “Diesel”, gjatë të cilit u ndalua në det një motopeshkatore në të cilën ishin kamufluar në ambiente të përshtatura 80.000 litra naftë që synohej të kontrabandohej.

Ndërsa më 7 shtator në një tjetër operacion të koduar “Diesel 2”, policia ndaloi gjatë lundrimit një motopeshkatore në të cilën gjeti rreth 25.000 litra naftë pa dokumentacion, që dyshohet se do kontrabandohej në tregun vendas dhe arrestoi 2 vëllezërit nga Kavaja, 43-vjeçarin me iniciale Sh. C. dhe 41 vjeçarin me iniciale R. C.

Prokuroria e Durrësit po i heton rastet e kohëve të fundit për veprat penale, “Kontranda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”, të kryera në bashkëpunim.

(Reporter.al)