Tiranë, 3 shtator 2022 – Konferenca e Kryetarëve miratoi të premten programin e punës dhe kalendarin e punimeve për sesionin e ri parlamentar, duke futur në rend dite dy nisma ligjore të PS-së që bëjnë të detyrueshëm verifikimin e figurës për kandidatët për deputetë dhe kryebashkiakë dhe rishikimin e certifikatave të pastërtisë nga Autoriteti i Dosjeve.
Nismat janë propozuar nga kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla dhe kryetarja e komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, dhe u nxitën nga debati i muajit gusht për pastërtinë e figurës së ish-presidentit Ilir Meta.
Një shkresë e Autoritetit të Dosjeve drejtuar Kuvendit fliste për indicje që mund të implikonin Metën si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit. Vetë Meta i hodhi poshtë akuzat dhe bëri padi penale për falsifikim dokumentash për anëtarët e bordit drejtues të AIDSSH-së të enjten.
Por nismat Balla-Bushka kërkojnë ndryshime në kodin zgjedhor dhe në ligjin për funksionimin e autoritetit të dosjeve për të bërë të detyrueshëm verifikimin e lidhjeve me ish-sigurimin për çdo kandidat për deputet dhe kryebashkiak.
“Kandidat është shtetasi që plotëson kushtet e parashikuara në nenet 45 dhe 69 të Kushtetutës, për të cilin përfundon me sukses procesi i verifikimit të pastërtisë së figurës, dhe që regjistrohet si kandidat për deputet, si kandidat për kryetar bashkie ose për këshillat vendor në organet përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve”- thuhet në draftin socialist për kodin zgjedhor.
Në nenet e tjera të draftit parashikohet dhe procesi i verifikimit të pastërtisë së figurës duke i detyryar subjektet zgjedhore që 70 ditë para zgjedhjeve parlamentare apo vendore të kërkojë verifikimin e kandidatëve pranë autoritetit të dosjeve ”në lidhje me ekzistencën për të, të informacioneve në dokumente të ish-sigurimit të shtetit, për qëllime të transparencës së pastërtisë së figurës”.
Autotitetit të dosjeve i jepet tagri që të kryejë procesin e verifikimit mbi bazën e listës zyrtare të kandidatëve pranë KQZ-së dhe nëse vetëdeklarimi i kandidatëve është i rremë ta përxjellë çështjen në KQZ dhe më tej në organet hetimore.
Projektligji tjetër i futur në kalendar po ashtu lidhet me kërkesën e AIDSSH-së për ndryshimin e ligjit “Për të Drejtën e Informimit për dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” duke i dhënë të drejtë autoritetit që të fusë në sitë çertifikatat e pastërtisë së dhënë nga komisioniet “Mezini” dhe “Bezhani”, të ngritur pas viteve ’90.
Nisma ligjore propozon shfuqizimin neneve që ndalojnë deri më sot Autoritetin e Dosjeve që të merrte në administrim kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike kur ata kanë marrë certifikatën e pastërtisë së figurës nga këto dy komisione.
E shkuara komuniste do të jetë pjesë e punës së Kuvendit në sesionin e ri dhe me disa nisma të deputetëve të Partisë Demokratike. Konferenca e kryetarëve ka përfshirë në kalendar dhe nismat ligjore të bëra publike nga kryetari i grupit të PD-së, Enkelej Alibeaj gjatë verës që lidhen me dekomunistizimin, hapjen e plotë të dosjeve dhe kthimin në muze kombëtar të kamp-burgjeve të të Spaçit dhe Tepelenës, që regjimi komunist i Enver Hoxhës i përdori për të dënuar kundërshtarët politikë dhe familjet e tyre.
(Reporter.al)