Tiranë, 10 prill 2022 – Pas periudhës thuajse dy vjeçare të pandemisë COVID-19, biznesi fason në Shqipëri, që prodhon veshje dhe këpucë me material porositësi për eksport, po përballet këtë fillim viti me vështirësi të reja për shkak të luftës në Ukrainë dhe krizës globale të tregjeve. Administratori i “Shqipëria Trikot”, Gjergj Liqejza, thotë se kjo situatë ka vënë në vështirësi industrinë fasone në Shqipëri.
“Vetë partnerët tanë ndërkombëtarë gjenden në situata të tilla pasi furnizohen nga tregjet e rajonit ku është lufta. Ndaj, kuptohet se çfarë vështirësish kanë. Por jo vetëm ata, sepse edhe vetë lënda e parë përsa i përket pjesës që ne furnizohemi, si tekstili, letra, druri e sidomos transporti, janë rritur shumë ndjeshëm. E jo vetëm rritë, por nuk ka garanci edhe për të ardhmen”.
Administratori i kompanisë “Shqipëria Trikot”, një nga më të mëdhatë në Shqipëri, thotë se në këtë situatë të vështirë, biznesi fason ka nevojë për mbështetje dhe që të mos rëndohet me burokraci nga ana e strukturave shtetërore.
“Janë rritë kostot në mënyrë të ndjeshme përsa i përket transportit, për karburantin, për faturat e energjisë elektrike. Por, është edhe një situatë e veçantë përsa i përket çështjes së sigurimit të fuqisë punëtore, jo vetëm fizike, por edhe si nivel kualifikimi. Gjendemi në një situatë mjaft të vështirë dhe besoj që, ata që e kanë për detyrë për me e vlerësu këtë, do ta kenë parasysh dhe do të gjejnë format dhe mënyrat për t’a përkrahë dhe, minimalisht, për të mos e rëndu me burokraci”.
Sipas Institutit të Statistikave, rreth 800 ndërmarrje të fasonerisë janë aktive në Shqipëri. Në to janë punësuar rreth 63 mijë punëtorë, kryesisht gra dhe vajza. Drejtuesi i shoqatës së fasonëve, Edvin Prençi, një sipërmarrës që ushtron veprimtarinë në Durrës, thotë se ndërmarrjet fasone të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me material porositësi kanë një peshë të rëndësishme në ekonominë dhe eksportet shqiptare. Ai thotë se lufta në Ukrainë ka rritur akoma më shumë kostot e prodhimit, gjë që po reflektohet në tendencën e rritjes së çmimeve prodhuese edhe në këtë sektor. Por, shton ai, përveç kësaj, sektori i fasonerisë po vuaj edhe mungesën e fuqisë punëtore.
“Fuqia punëtore ka një mungesë në rritje. Nuk është vetëm sektori jonë që ka ngritur zërin dhe po gërthet, por janë shumë sektorë të industrisë së prodhimit, turizmit, që vuajnë të njëjtën problematikë si tonën. Patjetër një problematikë që vjen nga fakti se ka një emigrim, rrjedhje të popullatës që ikën jashtë shtetit”.
Drejtuesi i shoqatës së ndërmarrjeve fasone, Edvin Premçi, thotë se në bashkëpunim me qeverinë është e mundur të përmirësohen politikat e punësimit, duke mbështetur këtë sektor me atë pjesë të punëkërkuesve, që sot mbështeten nga shteti me ndihmë ekonomike mujore.
”Jemi ndër vendet që ka mbi 97 mijë të papunë, të cilët paguhen me asistencë dhe ndihma sociale. Nuk i kemi kërkuar gjë tjetër qeverisë vetëm t’i marrim, të bëjmë një analizë se kush janë të aftë për punë dhe të bëjnë trajnimin, formimin e duhur profesional, që të futen në sistemin e punës. Pra, të jetë një integrim i këtyre personave, me një dinjitet akoma më të lartë, dhe të mos presin asistencë sociale nga ana e qeverisë”.
Vitet e fundit, ndërmarrjet fasone i kanë përmirësuar mjaft kushtet e punës për punëtorët, por ato vazhdojnë të vuajnë nga niveli i ulët i pagave, gjë që nuk nxit afrimin e mëtejshëm të fuqisë punëtore. Ndërkohë, falë afërsisë gjeografike me vendet e Europës Perëndimore, përvojës së fituar, por edhe falë pagave të ulëta, fasoneria shqiptare i ka rezistuar konkurrencës nga tregjet e tjera të rajonit dhe Azisë, duke u shdërruar në një sektor të rëndësishëm për eksportet dhe ekonominë shqiptare.
(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)