Tiranë, 20 qershor 2022 – Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) tha se, gjatë vitit të shkuar, në Shqipëri kanë hyrë rreth 10 mijë refugjatë ose rreth 18 herë më shumë se 5 vjet me pare. Prej tyre 11% ishin gra dhe fëmijë. Rreth 80% e tyre kanë deklaruar se kanë ardhur nga vendet kryesore burim të refugjatëve, si Afganistani, Iraku dhe Siria.
Autoirtetet shqiptare në bashkëpunim me qeverinë amerikane dhe disa organizata joqeveriatre, në vjeshtë të vitit 2021, strehuan në Shqipëri rreth 2400 shtetas afganë që u zhvendosën nga vendi i tyre, pas largimit të forcave amerikane dhe marrjes së pushtetit nga talebanët. Ata u vendosën përkohësisht në disa zona rezidenciale.
Sot, pas 9 muajsh, rreth 70% e tyre janë larguar drejt SHBA, Kanadasë dhe disa vendeve të tjera, siç raportojnë autoritetet shqiptare, ndërsa pjesa tjetër ndodhet ende në zonën e Shëngjinit në veriperëndim të vendit. Disa prej tyre, të cilët kërkuan të mbeten anonimë për shkak se të afërmit e tyre në Afganistan ndjehen të kërcënuar nga talebanët, i thanë Zërit të Amerikës se janë të shqetësuar dhe të paqartë për të ardhmen e tyre.
“Para 8 muajsh na kanë evakuar nga Afganistani këtu, por nuk na kanë thënë asgjë të sigurtë. Çdo gjë ka ndaluar këtu. Unë kam qenë në universitet në Afganistan, por në vitin e fundit gjithshka u përmbys, studimet e mia dhe cdo gjë shkuan dëm. Unë nuk mund të studioj këtu. Mamaja ime është e moshuar, dhe shumë e trishtuar”, tha një shtetas afgan për Zërin e Amerikës.
“Siç e dini, situata në vendin tim është shumë e keqe, sidomos për një grua aktiviste, apo për dikë që punonte për demokracinë. Ne ishim të kërcënuar dhe në rrezik nga talebanët. Emigrimi është gjithashtu shumë i vështirë për shkak të stresit, që ai shkakton. Ne jemi të shqetësuar, sepse kemi një të ardhme jo të qartë”, u shpreh një shtetase afgane, aktiviste e të drejtave të njeriut.
“Situata nuk është e mirë në Afganistan, çdo ditë talibanët vrasin ushtarakët dhe civilët që punojnë për ushtrinë. Unë kam qenë pjesë e ushtrisë së Afganistanit dhe nëse do të kisha qëndruar në Afganistan, talebanët do më kishin vrarë. Jam shumë i shqetësuar për familjen dhe miqtë e mi atje, dhe nuk e di kur situata do të bëhet mire”, u shpreh një shtetas afgan, ish ushtarak.
Mjaft shtetas afganë që janë strehuar prej 9 muajsh në Shëngjin thanë për Zërin e Amerikës se dëshirojnë të kthehen në vendin e tyre, nëse atje do të vendoset paqja.
“Nëse rruga do të hapet, do të shkoj atje për t’i shërbyer vendit tim, për të ndërtuar vendin tim. Të gjithë duan të rrinë në vendin e tyre. Çdo ditë lutemi që paqja te rikthehet në Afganistan. Një ditë dua të kthehem dhe kur të rrëzohet qeveria e talibanëve dua të shërbej për njerëzit e mi”, tha një tjetër shtetas afgan.
Sipas drejtuesve të UNHCR në Tiranë, kohët e fundit, Shqipëria ka dëshmuar se është një bashkëpunëtore e besueshme në skenën ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për ofrimin e mbrojtjes për disa kategori refugjatësh, si për ata nga Afganistani dhe Ukrania, që u larguan nga vendet e tyre për shkak të konfliktit. Por, kjo agjenci vëren se mbetet fakt se refugjatët dhe azilkërkuesit e tjerë potencialë, nuk kanë të njëjtën qasje efektive në territorin shqiptar dhe sistemin shqiptar të azilit.
Sipas të dhënave të UNHCR në Tiranë, në Shqipëri, gjatë vitit 2021 vetëm 1% e 80% të refugjatëve që deklarojnë se vijnë nga vende që janë burim i refugjatëve si Afganistani, Iraku dhe Siria, referohen nga autoritetet në proçedurat e azilit.
“UNHCR në të gjithë botën, kërkon vazhdimisht qasje në azil për të gjithë refugjatët. Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i të drejtave të refugjatëve nuk është një zgjedhje, është një detyrim ligjor dhe moral dhe nuk duhet të kushtëzohet kurrë nga kombësia ose mënyra e mbërritjes. UNHCR mbetet e angazhuar me autoritetet shqiptare për rivendosjen e qasjes në proçedurën e azilit dhe mbështet një sistem të qëndrueshëm azili në Shqipëri”, u shpreh për Zërin e Amerikës Kristina Folkelius, Shefe në detyrë e UNHCR.
Edlira Baka, zyrtare e mbrojtjes humanitare dhe komunitare në Agjensinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, shprehet me shqetësim se rrugëtimi i refugjatëve në nivel botëror, sa vjen dhe bëhet më i vështirë, duke sjellë këtë argument.
“Në 2015 1 në 265 njerëz që lëviznin për shkak të konfliktit, humbte pa gjurmë. Në 2022, 1 në 38 njerëz që lëvizën për shkak të konfliktit humbi pa gjurmë. Kjo do të thotë se refugjatët, jo vetëm ikin nga shtëpitë e tyre, sepse u rrezikohet jeta, por edhe rrugëtimi që ata bëjnë drejt një vendi më të sigurt, është bërë gjithnjë dhe më i vështirë, dhe gjithmonë e më i pasigurt”, u shpreh për Zërin e Amerikës Edlira Baka, oficere e lartë e mbrojtjes humanitare.
Sipas agjensisë së Kombeve të Bashkura për Refugjatët numri i njerëzve të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre është rritur çdo vit, gjatë dekadës së fundit. Deri në fund të vitit 2021, të zhvendosurit nga lufta, dhuna, persekutimi dhe abuzimet e të drejtave të njeriut arritën në 89.3 milionë, 8 për qind më shumë se një vit më parë dhe dy herë më shumë se 10 vjet parë, sipas raportit vjetor të Trendeve Globale të UNHCR. Në vitin 2022 agresioni rus në Ukrainë, sipas kësaj agjensie, shkaktoi krizën më të shpejtë dhe një nga më të mëdhatë e zhvendosjes së detyruar që nga Lufta e Dytë Botërore, me 7 milionë njerëz që janë larguar nga vendi dhe 7 milionë të tjerë zhvendosur brenda vendit, duke e çuar shifrën në mbi 100 milionë. Shqetësimi për oficeren e lartë të mbrojtjes humanitare Edlira Baka, lidhet me efektin zinxhir që prodhojnë këto zhvendosje.
“Sot krizat e refugjatëve, të zhvendosjes me forcë nga një vend i origjinës, drejt një vendi tjetër që jo domosdoshmërisht është vendi fqinj, ndonjëherë janë vende shumë herë më të largëta, prishin shumë ekuilibra, ekonomikë, psikologjikë, socialë, kulturorë, emocionalë. Kjo bën që pjesa e dëshpërimit të përhapet, jo vetëm tek ata që janë prekur nga kriza, por dhe tek ata që kanë hapur dyert për t’i pritur këta njerëz”, vijoi Edlira Baka, oficere e lartë e mbrojtjes humanitare.
Sot në botë ka 29 vende të emergjencës së lartë dhe qindra milion banorë në përballje me konflikte. Ndërkohë, ka një shqetësim në rritje në lidhje me faktin se mungesa e ushqimit, inflacioni dhe kriza klimatike po i shtohen vështirësive të njerëzve. Zyrtarë të UNHCR thonë se kjo ka shtuar reagimin humanitar ndërsa perspektiva e financimit për mjaft situata sipas tyre duket e zymtë.
(Mimoza Picari, Zëri i Amerikës)